Krimet e luftës siriane do të gjykohen në Hagë

Rreth 60 shtete, të udhëhequra nga Zvicra, kanë shprehur mbështetjen për propozimin francez për të dërguar Sirinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Vendet po i bëjnë apel Hagës që të hetojë krimet e mundshme të luftës dhe ato kundër njerëzimit. Ambasadori zviceran në OKB, Paul Seger bëri një apel drejtuar Këshillit të Sigurimit që të miratojë një projekt/rezolutë mbi çështjen në fjalë. Megjithatë, një gjë e tillë ka gjasa të bllokohet nga Kina dhe Rusia. Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se, nëse Pekini dhe Moska vendosin veton ndaj këtij propozimi, atëherë do të jetë hera e katërt
që ata pengojnë rezolutat e Perëndimit për Sirinë, që nga rënia e krizës tre vjet më parë. Muajin e kaluar, fotografi të të burgosurve që torturoheshin nga trupat e qeverisë siriane u shfaqën para vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pamjet, që thuhet se ishin dhënë nga një dezertor i regjimit të Damaskut, tregonin provat e abuzimeve, mes të cilave rrahje të dhunshme, mbytje dhe vuajtje nga uria. “Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit dhe anëtarët e tjerë duhet të jenë të bashkuar për të vepruar për drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat e konfliktit në Siri”, shkroi ambasadori Seger në një letër. Ndërkohë, disa diplomatë të tjerë deklaruan se, edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk e kanë firmosur letrën, ato mbështesin propozimin francez për hetimin e krimeve.

Share Button