Kreu i Kuvendit të Shqipërisë përjashton Bashën nga seanca parlamentare

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë ka filluar me debate, ndërsa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka vendosur përjashtimin nga seanca të liderit të opozitës dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi kreu i Kuvendit nuk ka pranuar propozimin për shtyrjen e debatit përlamentar sot në orët e pasdites rreth ngritjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren.

Ruçi pas pushimit të shkurtër, rifilloi drejtimin e seancës, por duke marrë vendimin për përjashtimin nga seanca e sotme parlamentare të kreut të PD-së, Lulzim Basha, pasi ky i fundit nuk ka pranuar largimin nga foltorja.

“Nuk do të dëshiroja kurrë që masa e parë në Parlament ti jepet liderit të opozitës. Jap masën e përjashtimit nga seanca plenare të deputetit Lulzim Basha”, u shpreh Ruçi.

Ndërsa kreu i opozitës, para vendimit për përjashtimin theksoi se “Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Qytetarët meritojnë debatin, opozita është për të bërë debat.”

Debati parlamentar për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore është shtyrë për në seancën e javës së ardhshme, ndërsa seanca e sotme është ndërprerë për të filluar gjatë ditës. Ndërkohë komisioni i  posaçëm për reformën zgjedhore do të hartojë paketën e re të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Share Button