Kremtohet 95 vjetori i Bibliotekës Kombëtare

Në vitin e 95-të të themelimit ka një lajm shumë të mirë për Bibliotekën Kombëtare.

Mjediset e saj te Pallati i Kulturës do të zgjerohen dhe biblioteka do të ofrojë shërbime moderne të digjitalizuara për anëtarët e vet.

Persida Asllani, e cila prej një viti drejton Bibliotekën Kombëtare, e përshkroi këtë projekt si një ëndërr, që po realizohet me vendosmëri me mbështetjen e kryeministrit Rama.

“Është ëndrra për një bibliotekë të përtërirë, për një bibliotekë dinjitoze, jo vetëm për mënyrën si funksionon në informacionin dhe pasurinë që i ofron kulturës kombëtare, por dinjitoze edhe në hapësirat e veta, në mjediset e punës dhe në mjediset e leximit; në mjediset e shkëmbimit kulturor, por edhe në mjediset e shkëmbimit profesional dhe formues”, u shpreh Asllani.

Ndërkaq kryeministri Edi Rama u shpreh se “jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces dhe do t’ja rikthejmë Bibliotekës Kombëtare pjesën e trupit të saj të amputuar nga barbaria e kulturës së tranzicionit”.

Viti i 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare është shpallur edhe si viti i donacioneve, ndaj dhe kryeministri Edi Rama ka bërë dhurimin e tij pas një mëdyshjeje të gjatë. Një dhurim, për të cilin u shfaq shumë modest.

“Dhurata ime është shumë modeste. Albumi im më i fundit i zhgarravinave të mia, të cilin po ja dhuroj drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, pa pretenduar që të regjistrohet në arkivin e bibliotekës, por le të mbetet në tavolinën e saj, më pas le të vendosë ajo nëse e lë në arkiv apo e merr në shtëpi”- u shpreh Rama.

Kjo javë e 95-vjetorit të themelimit është një rast i mirë për të vizituar ekspozitën e quajtur “Biblioteka e bibliotekave”, ku janë publikuar botime unike dhe shumë të rralla, që i përkasin kryesisht Albanologjisë.

 

 

Share Button