Kosovë, PDK fiton zgjedhjet

Partia Demokratike e Hashim Thaçit është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, duke garantuar kështu mandatin e tretë qeverisës.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri sot në mëngjes janë numëruar mbi 94 % e votave ku PDK ka arritur të marrë mbi 31 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Isa Mustafës.

Në vend të tretë është Vetëvendosja e Albin Kurtit

Pas mesnate Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e saj në Prishtinë.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka ritheksuar se partia e tij i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Ai ka lavdëruar procesin dhe ka shprehur besimin se këto zgjedhje do të vlerësohen me notë të lartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Zgjedhjet janë ndjekur nga mbi 30 mijë vëzhgues, përfshirë ata vendas e ndërkombëtarë në mesin e të cilëve edhe ata të misionit të posaçëm të Bashkimit Evropian si dhe vëzhguesit e angazhuar nga ambasadat e vendeve euro perëndimore.

Zgjedhjet e së dielës shihen si një sprovë për synimet e shtetit të ri për të përparuar drejt integrimeve evropiane por edhe e zotimeve të partive politike për të ndryshuar gjendjen aktuale në vendin më të varfër dhe më të izoluar të Evropës.

Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe është vendi i vetëm i Evropës Juglindore, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Share Button