Kosovë, nis ndërtimi i spitalit për fëmijë, donacion i arabëve

Pritet të nis së shpejti projekti për ndërtimin e Spitalit të ri Pediatrik-Kirurgjik në Kosovë, me donacion të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka publikuar disa foto në të cilat tregohet projekti i spitalit që pritet të nis së ndërtuari këtë vit.

Jahjaga në një status në Facebook shkruan se ky spital do të kushtojë 22 milionë euro dhe do të ndertohet nga arabët.

“Pamjet nga projekti ideor për Spitalin e ri Pediatrik-Kirurgjik të Fëmijëve, i cili do të fillojë të ndërtohet në vitin 2016 në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndërtimi i tërësishëm i spitalit dhe pajisjet e teknologjisë më moderne shëndetësore është rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në prill të këtij viti ndërmjet Presidentes Jahjaga dhe Shkëlqesisë së Saj, Sheikës Fatima bint Mubarak, të Emirateve të Bashkuara Arabe, për një donacion prej mbi 22 milionë eurove që do të ndihmojë në përmirësimin dhe përkujdesjen për fëmijët e Kosovës”- shkruan Jahjaga ne Facebook.

Klinika e re do të përfshijë shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente.

 

Share Button