Kosovë, dy makina të EULEX-it sulmohen në veri

Dy vetura të misionit EULEX, janë sulmuar me armë zjarri mbrëmë teksa po lëviznin në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në një deklaratë për shtyp misioni EULEX informon se dy automjetet e EULEX-it u sulmuan teksa lëviznin rrugës për në Bërnjak ndërsa fatmirësisht nuk ka patur të lënduar por vetëm dëme materiale.

“Sonte rreth orës 20:00 dy automjete të EULEX-it të cilat lëviznin rrugës për në Bërnjak janë sulmuar me armë zjarri duke pësuar dëme materiale. EULEX-i dënon ashpër këtë sulm. Task-Forca e Mitrovicës ka filluar hetimet për t’i kapur autorët e këtij akti. Çdo sulm kundër EULEX-it është sulm kundër Bashkimit Evropian”- thuhet në njoftim.

EULEX, gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacion lidhur me rastin të kontaktojnë forcat e sigurisë në Mitrovicë.

 

Share Button