Kosova feston sot 7-vjetorin e pavarësisë

Sot Kosova feston 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Axhenda zyrtare ka filluar me homazhet e politikanëve tek varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se, këto homazhe janë në nder të “ideatorit të pavarësisë”, ndërsa shtoi se sot Kosova ka perspektivë të qartë evropiane. Ndërsa kryeministri Isa Mustafa e cilësoi Rugovën si njeriun që hodhi themelet e pavarësisë. “Ne vlerësojmë kontributin e tij që ky shtet të jetë demokratik dhe që ne të mburremi me të”, tha Mustafa. Axhenda ka vijuar me homazhet në nder të komandantit Adem Jashari në Prekaz. Nuk munguan homazhet edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 në një seancë solemne të parlamentit. Për të mbërritur deri në këtë ditë, vendi që në atë periudhë administrohej nga UNMIK, kaloi në një proces të gjatë lufte dhe vuajtjesh. Sinjali i parë për shkëputjen përfundimtare u dha në mars të vitit 1999 kur NATO filloi sulmet ajrore mbi Serbinë pas marrëveshjes së Rambujesë e nënshkruar vetëm nga pala kosovare.

Share Button