Korrupsioni, shkarkohet nga detyra Presidentja e Koresë së Jugut

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, është shkarkuar nga detyra pas një vendimi gjyqësor, pasi paraprakisht ishte privuar nga kompetencat për shkak të skandalit të korrupsionit dhe ndikimit politik në Korenë e Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).

Juria tetë anëtarëshe e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur me unanimitet që të shkarkojë nga detyra presidenten e Koresë së Jugut, Park.

Gjykatësja kryesore Lee Jung-mi, në deklaratën e saj të drejtpërdrejtë nga kanalet televizive, e ka cilësuar si “moment historik” vendimin e gjykatës.

“Pasi shikuam deklaratat dhe veprimet e Park, nuk pamë asnjë vullnet të saj për ta mbrojtur kushtetutën. Shkelja e kushtetutës dhe ligjeve nga presidentja e shtetit ka kuptimin e tradhtisë ndaj besimit të popullit. Këto akte serioze janë të papranueshme kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kushtetutës”, është shprehur Lee.

Ndërkaq, bëhet e ditur se dy persona kanë humbur jetën në protestat e organizuara në Seul pas vendimit.

Me shpalljen e vendimit, Park bëhet presidenti i parë i shtetit që shkarkohet nga detyra. Vendimi në të njëjtën kohë hap rrugën e gjykimit të Park pasi i njëjti ia heq imunitetin.

Sipas ligjeve, vendi do të shkojë në zgjedhje në periudhë brenda 60 ditëve.

Ndryshe, Park akuzohet për mitëmarrje në emër të donacioneve nga kompanitë e mëdha të vendit me ndihmën e mikeshës së saj Choi Soon-sil dhe keqpërdorim të detyrës duke u mundësuar përfitime politike si shpërblim ndaj këtyre donacioneve.

Parlamenti i Koresë së Jugut më 9 dhjetor kishte vendosur për hapjen e hetimeve ndaj Park, teksa kompetencat e Park përkohësisht i ishin transferuar kryeministrit Hwang Kyo-ahn.

Share Button