Korça dikur Devoll i Madh, ja si e ndryshoi emrin

Deri para ardhjes së Mirahorit, as Korça dhe as krahina e Korçës nuk ekzistonin. Vendi ku ngrihet qyteti i Korçës dhe gjithë hapësira ku shtrihet fusha e saj, quheshin Devolli i Madh. Pjesa e mbetur e Devollit të sotëm, quhej Devolli i Vogël. (Zona e Korçës ishte zemra e Devollit). Të dyja pjesët bashkë (Devolli i Madh dhe Devolli i Vogël), krijonin nahijen (krahinën) me të njëjtin emër – Devoll. Edhe qyteti i krahinës kështu quhej, ndoshta edhe për shkak të lumit me të njëjtin emër. Qyteti Devoll përmendet që në shek II prej gjeografit grek, Ptolemeu. Mendohet që qyteti të ketë qenë te kalaja e Mborjes, tri kilometra sipër Korçës.

Kjo që po shkruajmë nuk është zbulim, por ka mbetur e pathënë. Historianët e dinë, por as e thonë, dhe as e shkruajnë. Heshtja ndodhi përgjatë viteve të diktaturës; vijon edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1510, Devolli i Madh dhe Devolli i Vogël u përmendën në testamentin e Gjon Muzakës; këtu fillon dhe historia e këtij shkrimi. Thuhet se në testament përmendet edhe qyteti i Korçës. Sa e vërtetë është kjo që thuhet? Do ta shpjegojmë në vijim. Na ndiqni.

Me qenë se qyteti i Korçës (siç pretendohet), përmendet nga Gjon Muzakaj në testamentin e tij, për shumë gazetarë, publicistë, urbanistë etj, ekzistenca e qytetit të Korçës fillon në shek XIII kur nahija e Devollit u bë pjesë e zotërimeve të Muzakajve. E bukur historia e qytetit të Korçës nëse do të ishte kështu, por shumë e shëmtuar, kur e pavërteta shitet si e vërtetë. Manipulimi tenton errësimin e figurës së themeluesit të qytetit të Korçës Iljaz bej Mirahori, i cili i dha jetë dhe famë qytetit të Korçës dhe krahinës së saj; atë lavdi që e ruan edhe sot e kësaj dite. Historianët (roje të historisë së vendit të tyre), edhe kur shohin që shkruhen të pavërteta të tilla, as i mohojnë dhe as i pohojnë; zakon ky i mbetur që nga diktatura: për familjet e mëdha nuk duhej të flitej, qoftë ky edhe Iljaz bej Mirahori.

Tashmë po hyjmë në temë. Vite më vonë nga vdekja e Skënderbeut, aty nga viti 1479, Gjon Muzakaj, (princi i Epirit), i veshur me rroba të tjera për të mos u njohur, hipi në një barkë në Durrës dhe udhëtoi përgjatë natës drejt mbretërisë së Napolit. Iku nga Shqipëria për shkak të pushtimit, por mendja i mbeti te Epiri, te banorët e këtij vendi të cilët fillimisht ishin quajtur Molosë. Edhe Gjon Muzakaj kështu e kishte patur mbiemrin; Molosi, por më pas ky emër u shndërrua në Muzakaj.

Në vitin 1510, mbretëritë e Perëndimit i premtuan Gjon Muzakajt se do ta nxirrnin Turqinë nga Shqipëria dhe Muzakajt do t’i kthenin në trojet e tyre. Me të marrë këtë premtim, Gjoni u ul dhe shkroi testamentin për fëmijët e vet. Ai kishte tre djem: Theodorin, Andrianin dhe Konstantinin dhe dy vajza: Helenën dhe Porfidën.

Sipas Gjon Muzakajt, Ndre Muzakaj (një prej të parëve të tyre), kishte qenë sundimtar i Epirit (sevastokrator), titull që jepej nga perandori i Kostandinopojës. Ai pati në zotërim Beratin (kryeqytetin e Myzeqesë), bashkë me Myzeqenë. Kufiri i kësaj nahije fillonte me katundet Karagua (Carugua), Giossi, Basti dhe Milota; kalonte Shkumin (Shkumbinin) e Myzeqenë dhe vinte te qyteti i Beratit e deri te lumi i Vjosës te vendi i quajtur “Dy Gurët”. Gjithashtu pati në zotërim anën tjetër të Myzeqesë kah Berati, Tomoristën (Myzeqenë e Vogël); krahinën e Selenicës deri në breg të detit ku janë shumë katunde; krahinën e Tomornicës me të gjith katundet që janë në luginë, përreth e rrëzë malit të Tomorit, nja gjashtëmbëdhjetë katunde, duke filluar prej Dardasit e deri në Terkotigue (Tercotigue); Skraparin me tetëmbëdhjetë katunde; Serkët, Midegni-n, Sereci-n dhe Dushkari-n.

Tashmë jemi në atë pikë të testamentit, ku Gjon Muzakaj flet për Devollin e Madh dhe Devollin e Vogël: Sevastokratori Ndre Muzakaj “pronoj e zotnoj nahijen e Oparit q’i asht e banueme prej Sllavësh, bashkë me katundet: Festaçi, Beci, Mazereki, Ladari, Marjani e Ceriasheli q’i të gjithë i banojnë Shqyptarët. Ma tepër pronoj e zotnoj nahijen e Devollit të Madh, e veni shënj, se asht nji tokë q’i thirret Veskop, e cila asht rrënue. Gjithnji pronoj e zotnoj qytetin e Korçës deri te katundi i quejtun Savoiana (Sovjan), edhe vendin “Viola” ku xehet (kapet) peshk e ngjala të mdhaja e të trasha.

Edhe ma pronoj e zotnoj nahijen e Devollit të Vogël deri te Nestramo q’i asht nji qytet i rrënuem. Për ma tepër, pronoj e zotnoj qytetin e Kosturit me të tanë katundet e veta, të cilin qytet e fitoj me luftë nga Mark Kralja, e po ju vërtetoj se qyteti i thanun Kosturi ose Kastorja asht punë e madhe e ka shum të hime “de grossa entrata”.(Revista “Leka”, v.1930, nr.6, f. 172-173)

Tashmë vini re! Shkruesi i testamentit, Gjon Muzakaj, nuk përmend kurrkund ndonjë krahinë me emrin nahija e Korçës dhe s’kishte si ta përmendte sepse në atë kohë nuk ekzistonte asnjë krahinë me këtë emër. Vendi ku ngrihet sot qyteti i Korçës dhe fusha e Korçës bashkë me fshatrat Veskop (Voskop), Savoiana (Sovjan), Viola (fshat pranë kënetës së Maliqit), ku kapej peshk e ngjala, quheshin Devolli i Madh. Opari, Lavdari e deri në Marjan ishin nahije më vete. Pjesa e Devollit të sotëm, i cili në atë kohë shtrihej deri në Nestramo, quhej Devolli i Vogël. Të dyja pjesët bashkë, (Devolli i Madh dhe Devolli i Vogël), krijonin nahijen e Devollit. Edhe qyteti i kësaj krahine mbante emrin Devoll, i cili duhet të ketë qenë aty ku ndodhet sot fshati Mborje, e pranuar kjo hipotezë edhe nga historianë të tjerë:

“Afër Korçës duken gërmadhat e qytetit të vjetër Devoll: ky qytet është bërë me mure pas zakonit të Pellazgëve." (Kalendari Kombiar, viti 1898, f. 62). Tashmë, dikush mund të thotë: Nga sa lexuam më sipër, kuptohet mjaft mirë që krahina me emrin e Korçës deri në vitin 1510, kur u shkrua testamenti, nuk ka ekzistuar, por nuk kuptohet aspak ku qëndron manipulimi me qytetin e Korçës, pasi testamenti e përmend qartë, pa asnjë mëdyshje?!

Përgjigjja është kjo: Në pamje të parë konstatimi duket i drejtë, por ashtu siç u manipuluat ju, ashtu janë manipuluar edhe të tjerët kur janë njohur me testamentin. E vërteta është ndryshe: emri i qytetit të Korçës në tekstin origjinal të testamentit nuk përmendet asnjëherë. Përkundrazi, në testament flitet për një vendbanim me emrin “Kovica”, por përkthyesve u është bërë zakon që në vend të fjalës “Kovica” të shkruajnë “Korça”, duke menduar se Kovica është qyteti i Korçës, por pa sjellë asnjë argument.

A mund të jetë Korça qyteti i Kovicës? Kurrsesi jo. Nëse qyteti i Kovicës i kishte fillesat që nga shek XIII, siç pretendohet, dhe në vitin 1510 kur u shkrua testamenti ishte ekzistent, d.m.th qytet 200-vjeçar, atëherë Mirahori nuk paska ndërtuar asnjë qytet përveçse i paska ndërruar emrin qytetit të vjetër nga Kovica në Korçë! Vetëm ta mendosh këtë hipotezë është absurde. Pse iu desh Mirahorit t’ia ndryshonte emrin Kovicës?! Ku shkuan banorët e Kovicës sepse qyteti i Korçës e nisi jetën e tij me 26 familje myslimane? Vendi ku u ngrit Korça ishte tokë djerr, pa asnjë ndërtim. T’i kushtosh më shumë vëmendje kësaj hipoteze është marrëzi.

Qyteti i Korçës, i ndërtuar nga Iljaz bej Mirahori, është i dokumentuar hap pas hapi, pa lënë vend për dyshime. Kuptohet; Gjon Muzakaj flet për një vendbanim tjetër, i cili duhet të ketë qenë i ngjashëm me qytetet, si: Llënga, Grabova, Shipska, Belica etj, të cilat duke qenë mes maleve, larg udhëve kryesore, e patën të pamundur mbijetesën, veçanërisht pas krijimit të qyteteve Kasaba, me pazare ku përqëndroheshin të gjitha zejet e mundshme.

Pavarësisht në ç’gjendje ndodhej qyteti i Kovicës në vitin 1510, Gjon Muzakaj ishte i interesuar të përmendte gjithçka sepse testamentin po e linte për djemtë e vet dhe ata duhej ta dinin ku i kishin pronat e tyre, sepse, edhe vetë Gjon Muzakaj, e kishte të qartë, që të shembej një perandori duhej kohë e gjatë. Ja çfarë u shkruante Gjon muzakaj djemëve të tij: “Unë po jua pjestoj shtetin juve bijt e mi: Zot ynë për mëshirë të vet ua shtiftë në dorë: Ty z. Theodor, djali i parë, po të lë Beratin e gjithë pronat që përfshin; mbarë Myzeqenë dhe qytetin Kanina, bashkë me pronat e veta, dhe Skraparin.

Ty z. Andrian, po të lë Tomornicën me gjithë katundet e vendet (con tutte sue ville e casali), Serki, Midigni e Serezi; Duscari, Opari, Ladari, Mariani e Vescopebeci dhe, merret vesh, si kam thënë më përtej, shtetin Opari e Landari deri te vendi Mariani i përmendur; dhe po të lë krahinën e Devollit të Madh me qytetin Korça e vendin Savoiana (Sovjani).

Ty z. Kostantin, po të lë krejt nahijen e Devollit të Vogël e qytetin Kostur (Kastorja) me të tana vendet e veta deri te Nostramo, i cili është qytet i shkretnum. (Revista “Leka”, v.1931, nr.6, f. 168).

Tashmë pak histori për Devollin e Vogël. Të gjitha pronat nga Myzeqeja deri te qyteti Nostramo, sevastokratori Ndre Muzakaj (një ndër të parët e muzakajve siç e kemi përmendur më sipër) ia la trashëgim birit të vet, Theodor Muzakajt, i mbiquajtur  “Chiscetisi”, sepse i mbante flokët të gjatë, bishtaleca. Prej Theodorit lindi Ndre Muzakaj i dytë, (sevastokrator). Ky i fundit u ndesh me ushtrinë bullgare dhe e theu atë.

Mbreti i Bullgarisë, Vukasini, i cili sundonte deri në Edrene, (armik i betuar i perandorit të Kostandinopjës), pasi përgatiti një ushtri të madhe, u nis të pushtonte Epirin. U ndesh me Ndre Muzakën në malin Peshter, te burimi Dobrida, aty ku Shqipëria ndahej me Bullgarinë. Bullgarët u thyenë dhe mbreti bashkë me birin e vet, Dusland-in, u kapën rob. Për këtë fitore të madhe, perandori i Kostandinopojës i fali shqytin e vet: shqiponjën me dy krena të kurorëzuar dhe me yll në mjedis; titullin “Dhespot i Epirit” me dekret, dhe vulë prej ari; një karrige dhespotare, qëndisur me xhevahirë dhe pushtetin mbi qytetin e Kosturit, i cili u qeveris prej Muzakajve e më pas nga viti 1870 deri në vitin 1912 nga prefektura e Korçës.

Pra, që nga koha e Muzakajve e deri në ardhjen e Mirahorit, as qyteti i Korçës dhe as krahina e Korçës nuk ekzistonin; vendi quhej Devolli i Madh. Kjo krahinë (Devolli i Madh), mori emrin Nahija e Korçës vetëm pas ngritjes së qytetit të Korçës nga Iljaz bej Mirahori.

Për herë të parë fjala “Korçë” u përdor nga turqit. Në gjuhën arabe shkruhet “Gierixhe” dhe ka kuptimin “shiko e shko” Kalaja pranë Mborjes në regjistrin turk të vitit 1431-1432 përmendet me emrin “Kalaja e Korçës”. Pas pushtimit nga turqit Korça u bë qendër vijaleti e kazave Korçë, Kolonjë, Konicë dhe Përmet, por Devolli i Madh dhe Devolli i Vogël i ruajtën emrat e tyre së paku deri në vitin 1510, siç thuhet edhe në testamentin e Gjon Muzakës./Nga Vepror Hasani-tesheshi.com/

Share Button