Konflikti në Ukrainë, KS mbështet marrëveshjen e paqes

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e propozuar nga Rusia për respektimin marrëveshjes së armëpushimit në Ukrainën Lindore, të arritur javën e kaluar në Minsk të Bjellorusië. Megjithë votën unanime takimi u shoqërua me debate të ashpra mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power tha se Uashingtoni mirëpret këtë marrëveshje, por akuzoi Rusinë për shkelje të saj dhe se pret prej Moskës që të vërtetojë zotimet e bëra për paqe. Ajo tha se Rusia ulet në tryezat e paqes, firmos marrëveshje dhe më pas bën gjithçka për shkeljen e tyre. Ambasadori rus, Vitaly Churkin i cilësoi deklaratat e përfaqësueses amerikane si tejet fyese. “Që prej nisjes së krizës, Rusia në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe transparente nëpërmjet dialogut mes të gjitha palëve të përfshira në konfliktit e brendshëm ukrainas”, tha Churkin. Ndërkohë, zv.Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se kostot e konfliktit për Moskën do të rriten nëse vazhdon të shkelë pikat e marrëveshjes së nënshkruar.

Share Button