Komuna e Çairit nderon figurën e Azem Hajdarit

Nga dje, një nga rrugët e Çarshisë së Vjetër të Shkupit mban emrin e Azem Hajdarit, figurës më emblematike dhe unifikuese të përpjekjeve disa dekadëshe të gjeneratave të tëra, për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Vendimin për emërimin e rrugës në zemrën e Shkupit me këtë figure të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, e solli Komuna e Çairit me propozim të Shoqatës së historianëve shqiptarë të Maqedonisë.

“Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për Çairin dhe Shkupin, sepse pikërisht këtu në Shkup, po përjetësojmë një figurë shumë të rëndësishme të demokracisë dhe historisë mbarëshqiptare. Po përjetësojmë emrin e simbolit të lirisë dhe demokracisë, Azem Hajdarin” tha mes tjerash Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, në përurimin solemn në prani të familjes Hajdari dhe përfaqësuesve të tjerë të shquar dhe mysafirë nga Shqipëria dhe Kosova.

“Simbolika e këtij emri është edhe më e madhe, pikërisht për faktin se po vendoset në vendin më të vizituar të Shkupit, në Çarshinë e vjetër, e cila për çdo ditë pret qindra mysafirë nga të gjitha anët e botës, e të cilët prej sot e tutje, do të kenë rastin të mësojnë më tepër për këtë simbol të demokracisë”, shtoi Mexhiti.

Në këtë ngjarje, fjalë rasti mbajtën edhe djali i Azem Hajdarit, Kiri Hajdari, Ambasadori i Shqipërisë në Shkup Fatos Reka, si dhe ish kryetari i Partisë Demokratike Tritan Shehu.

 

Share Button