Komisioneri Hahn vizitë në Shqipëri

– Rama dhe Hahn janë takuar në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ndërkohë, edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti sot në një mëngjes pune komisionerin evropian.

TIRANË (AA) – Komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, po qëndron për një vizitë dyditore në Shqipëri, në kuadër të konferencës me temë “Ditët e Medias, BE – Ballkani Perëndimor”, që ka filluar sot, raporton Anadolu Agency (AA).

Hahn së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, mbajtën sot një fjalë përshëndetëse në hapje të konferencës, ku u fokusuan tek liria e mediave, zhvillimet në sektorin e mediave në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e tyre për raportimin rreth procesit të reformave që realizohen në kuadër të integrimit në BE.

Hahn theksoi se kjo konferencë i kushtohet medias në Ballkanin Perëndimor dhe sipas tij, ka një qasje të re, që konsiston në përgjigjet rreth zhvillimeve të fundit në sektorin e medias.

“Gazetaria nuk ndodh në një sferë të izoluar, por në mes të shoqërisë. Ne do të shkojmë një hap më tej duke diskutuar situatën në media me një diskutim të gjerë. Një sektor mediatik i pavarur është i rëndësishëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes, dhe ne duhet të shikojmë një sërë çështjes, si pronësia e mediave, etj. Duhet të marrim në konsideratë edhe mjedisin politik për punën e mediave. Liria e shprehjes është një kusht i panegociushëm me vendet që aplikojnë për t’u bërë anëtar apo vende kandidate për në BE, sidomos për komunikim e duhur të reformave”, është shprehur Hahn.

Sipas tij, mbështetja e lirisë së mediave është e rëndësishme, duke shtuar se Komisioni Evropian po i monitoron nga afër sfidat dhe pengesat që përballen gazetarët në Ballkanin Perëndimor. “Liria e medias është një tregues i funksionimit të shtetit të së drejtës. Raportimi kritik është i rëndësishëm për një demokraci. Media mund të kontribuojë për të thelluar urat dhe jo për të krijuar ndasi. Kemi sfida të mëdha në vendet në tranzicion. Komisioni do të vazhdojë të japë mbështetje për përmirësimin e mjedisit të medias, por edhe vetë media mund të bëjë shumë punë”, ka theksuar ai në fundi.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se liria e shprehjes është një liri themelore e Bashkimit Evropian dhe një gur themeli në procesin e zgjerimit. “Progres raporti i vitit 2016 i lë Shqipërisë detyra për harmonizimin e legjislacionit, rritjen e transparencës, dhe forcimin e pavarësisë të Radio Televizionin Shqiptar. Ligjet e mira janë njëra anë, ndërsa çështja e zbatimit mbetet një sfidë. Liria e shprehjes është një e drejtë themelore dhe është arma më e fortë që kemi në dorë për të luftuar padrejtësitë, përfshirë edhe korrupsionin dhe shfaqjet e tjera negative, kjo në funksion të integrimit të plotë në BE. Jam sa besimplotë aq dhe pesimist për të ardhmen e afërt të medias, për shkaqe që janë në sytë e të gjithëve”, ka theksuar kryeministri i Shqipërisë.

Pas hapjes së konferencës Rama dhe Hahn janë takuar në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ndërkohë, edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti sot në një mëngjes pune komisionerin evropian. Në fokus të takimit Bushati-Hahn ishte procesi i reformës në drejtësi, politika e jashtme e Shqipërisë e bashkërenduar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe roli i Shqipërisë në bashkëpunimit rajonal.

Në konferencën dyditore “Ditët e Medias, BE – Ballkani Perëndimor”, organizuar nga Komisioni Evropian ku marrin pjesë ekspertë të mediave dhe studiues nga Ballkani Perëndimor dhe me gjerë, do të trajtohen një sërë çështjes, si modelet e reja të biznesit në media, mediat në epokën dixhitale dhe liria e medias në shoqëritë në tranzicion.

Share Button