Kolumbi, presidenti Santos hap shkollën e ndërtuar nga Turqia

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, ka hapur me ceremoni shkollën e ndërtuar nga Turqia në rajonin Orejon, rajon i parë që ishte zgjedhur për zbatimin e marrëveshjes së paqes mes qeverisë dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Santos tha se objekti i ndërtuar nuk është vetëm një shkollë, por në të njëjtën kohë ai do të shndërrohet në një qendër që do të rrisë kapacitetin punues të popullit të rajonit.

Duke rikujtuar vizitën presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Santos tha se “Falënderoj mikun tonë Erdoğan për ndihmat e dërguara për këtë shkollë.”

Presidenti nobelist Santos tha se me këtë shkollë të ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Turqia ka dhënë kontribut në ndërtimin e paqes në Kolumbi, duke falënderuar popullin dhe shtetin turk për mbështetjet ndaj Kolumbisë.

Në ceremoni mori pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kolumbisë, Maria Angela Holguin, e cila në fjalën e saj pas ceremonisë theksoi rëndësinë që rajoni në fjalë është i pastruar nga minat dhe tha se Turqia i ka ofruar shkollë një rajoni të këtillë.

“Tani më në këto male do të ketë gjurmë permanente të Turqisë”, tha Holguin, duke shprehur falënderime për mbështetjen e dhënë.

Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Periudhës Postkonfliktale Rafael Pardo, ministri i Arsimit Yaneth Giha Tovar, kryetari i TIKA-s për Azi Jugore, Paqësor dhe Amerikë Latine Dr Rahman Nurdun, dhe Felix Antonio Munoz, që ndryshe njihet si “Pastor Alape”, një nga drejtuesit e FARC-ut.

Në shkollë parashihet që mësimet t’i vijojnë 60 nxënës, në mesin e të cilëve edhe nga fshatrat jashtë Orejonit. Shkolla përbëhet nga dy klasë, një kuzhinë e gjerë dhe sallë mbledhjesh, ndërsa kati i dytë është paraparë si vendqëndrim për mësimdhënësit.

Ndryshe, Orejoni ishte zgjedhur si pilot rajon për zbatimin e marrëveshjes së paqes gjatë fillimit të negociatave mes Kolumbisë dhe FARC-ut, ndërsa njihet si rajoni ku ishin vendosur më së shumti mina. Bashkëpunimi mes palëve ka mundësuar pastrimin e plotë të minave, teksa qeveria zhvillon aktivitete për zhvillimin rural.

Marrëveshja e parë e paqes mes qeverisë kolumbiane dhe FARC-ut e nënshkruar më 2 tetor të vitit 2016 ishte dërguar në referendum, ku 50,24 përqind e pjesëmarrësve votuan kundër.

Ndërkaq, palët u ulën sërish në kryeqytetin e Kubës, Havana, ku më 12 nëntor të vitit 2016 u arrit marrëveshje e re për paqe, e cila më 24 nëntor 2016 u nënshkrua nga presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos dhe lideri i FARC-ut Rodrigo Londono.

Lufta civile në Kolumbi, shtet ky me mbi 48 milionë banorë, ka zgjatur mbi gjysmë shekulli, duke shkaktuar vdekjen e afër 260 mijë personave dhe migrimin e mbi gjashtë milionë të tjerëve.

Share Button