Kolumbi, “Dita e Tokës Palestineze” shoqërohet me aktivitete

Në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, u organizua aktiviteti përkujtimor me rastin e 41-vjetorit të “Ditës së Tokës Palestineze”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e organizuar në Muzeun Chico nga ana e Ambasadës së Palestinës në Bogota, interesim të madh shfaqën kolumbianë dhe palestinezë që jetojnë në këtë vend.

Mysafirëve u ndanë njoftime në lidhje me okupimin dhe trysninë izraelite në Palestinë. Për më tepër, gjatë aktivitetit u ekspozuan ushqime dhe veshje palestineze, kurse u bë edhe interpretimi i pjesëve muzikore dhe performancë vallëzimi.

Rauf Malki, ambasadori i Palestinës në Bogota, në fjalën e tij gjatë aktivitetit tha se bota duhet të bashkohet kundër racizmit, persekutimit, urrejtjes dhe okupimit.

Duke vënë theksin mbi mbështetjen e popullit kolumbian për çështjen palestineze, Malki u shpreh se shteti i tij një ditë do të arrijë paqen përmes këtyre mbështetjeve.

Ndryshe, më 30 mars të vitit 1976, Izraeli uzurpoi mijëra dynymë tokë që i përkiste palestinezëve. Populli palestinez kishte organizuar protesta kundër këtij akti, kurse gjashtë persona kishin humbur jetën dhe qindra të tjerë ishin plagosur pasi forcat izraelite kishin hapur zjarr ndaj protestuesve. Për t’i përkujtuar këto humbje, palestinezët çdo vit më 30 mars shënojnë “Ditën e Tokës” me aktivitete të ndryshme.

Share Button