Kodi i Etikës për deputetët: Çfarë parashikon për sjelljen, veshjen dhe dhuratat?

Kodi i Etikës për deputetët, një nismë e hartuar me ekspertizën e OSBE-së, pritet të merret në shqyrtim nga komisionet parlamentare dhe më pas të miratohet nga Kuvendi. Ky kod synon kthimin e besimit të publikut te institucioni më i lartë në vend. Kodi Etikës ndër të tjera parashikon masat ndaj sjelljes së deputetëve, në rastet e prishjes së seancave parlamentare, sikundër ndodh në jo pak raste në Kuvendin e Shqipërisë.

Në kodin e sjelljes së deputetëve, në nenin 9 të tij thuhet se deputeti do të ndëshkohet në rastet kur: shpreh fjalë të pahijshme ose ofenduese; pengon ose cënon rregullin dhe zhvillimin e punimeve të Kuvendit; kërcënon ose fyen deputetë e tjerë apo ministrat në seancë; ndërmerr veprime apo sulme personale ndaj një deputeti tjetër, apo bën thirrje për përdorim dhunë.

Kodi i Etikës mund të “penalizojë” edhe Kryeministrin.

Në këtë kod gjithashtu përcaktohen kriteret e veshjes, ku nuk lejohen ato sportive, ndërsa deputetët duhet të paraqiten në seanca apo veprimtaritë parlamentare me veshje serioze. Nuk dihet nëse te veshjet serioze mund të përfshihen apo jo atletet, që preferohen nga kryeministri dhe që në jo pak raste janë bërë shkak për debate dhe replika, apo kanë prodhuar batuta.

Kodi i sjelljes ka një nen të posaçëm për dhuratat që marrin deputetët. Me këtë kod, deputetët detyrohen t’i kthejnë mbrapsht ato, kur janë marrë pa dijeninë e tij. Po ashtu, deputeti mund t’ia falë Kuvendit, i cili mund t’i përdorë për qëllime të ndryshme institucionale.

“Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat, shkruan Panorama.

Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet:

a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit;

b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallë- zojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.

3. Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara”, thuhet në nenin 7 të kodit të sjelljes.

Më tej specifikohet se dhuratat mund të lejohen vetëm nga familjarët apo lidhjet farefisnore.

Po ashtu, edhe dhuratat që jepen jashtë vendit nga partnerët e shteteve mike. /tesheshi.com/

img_8231

Share Button