Kinë, gjendet thesar nga një anije e fundosur

Në një pikë kur kryqëzohen lumenjtë Minjiang dhe Jinjiang në provincën Siçuan në jugperëndim të Kinës, janë gjetur dhjetë mijë gjësende të bëra nga ari, argjendi, bronzi dhe substancat e tjera me vlerë, në një anije të fundosur afër 400 vite më parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e lajmeve Xinhua ka bërë të ditur se në mesin e sendeve të nxjerra gjatë gërmimeve të arkeologëve në lum, gjenden monedha, shpata, thika, byzylykë dhe shtiza të hekurta.

Gao Dalun, drejtori i Institutit të Pasurive Kulturore dhe Hulumtimeve Arkeologjikë në Siçuan, ka thënë se gravurat mbi gjësendet e nxjerra dallohen qartë dhe format në to janë pa të meta.

Thesari është gjetur në një pikë ku kryqëzohen lumenjtë Minjiang dhe Jinjiang në 50 kilometra në jug të kryeqytetit të provincës Siçuan, Çengdu, ndërsa supozohet se ai është transportuar me barka që i përkisnin liderit të rebelëve fshatarë Jang Shianjong gjatë sulmit të ushtarëve të Dinastisë Ming.

Arkeologët presin që në punimet nënujore që do të vazhdojnë deri në fund të muajit të ardhshëm të gjejnë edhe më shumë pjesë.

Share Button