Kina mohon akuzat për spiunazh

Kina ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga Shtetet e Bashkuara ndaj pesë oficerëve të ushtrisë, të akuzuar për spiunazh industrial, me qëllime ekonomike. Pekini zyrtar deklaroi se kurrrë nuk është angazhuar apo ka bashkëpunuar në vjedhjet elektronike dhe se akuzat mund të dëmtojnë bashkëpunimin mes dy vendeve. Autoritetet kineze thirrën gjithashtu për sqarim ambasadorin amerikan në Pekin, raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua”. Prokurorët amerikanë deklarojnë se oficerët kinezë vodhën sekrete tregtare dhe dokumente të brendshme nga pesë kompanie të ndryshme dhe një sindikatë punëtorësh. Por Ministria e Jashtme kineze i bëri thirrje Uashingtonit që të “korrigjojë menjëherë gabimet e tij” dhe të tërheqë akuzat. Zëdhënësi Qin Gang, i cituar nga agjencia “Xinhua”, tha se deklaratat ishin tërësisht të pabaza dhe me qëllime të fshehta. Ai tha se Kina ka vendosur që t’i ndërpresë aktivitetet e përbashkëta me Amerikën, në kuadër të Cyber Working Group. Grupi në fjalë u formua në muajin prill.
“Duke parë mungesën e sinqeritetit nga ana e SHBA për të zgjidhur çështjet e lidhura me sigurinë elektronike përmes dialogut dhe bashkëpunimit, Kina ka vendosur të ndërpresë aktivitetet në grupin e përbashkët të punës”, deklaroi zëdhënësi. Vetë Kina insiston prej kohësh se është viktimë e vjedhjes së sekreteve në rrugë elektronike, e përgjimeve dhe mbikëqyrjeve nga Shtetet e Bashkuara.

Share Button