Kievi rifillon operacionet ushtarake

Qeveria e Ukrainës ka rinisur aksionin ushtarak për të frenuar protestuesit pro-rusë në lindje të vendit, një ditë pas akteve të rënda të dhunës në Odesa.

Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov konfirmoi se faza aktive e operacionit vazhdoi në agim, me sulme përreth qytetit Kramatorsk.

Ministri Avakov deklaroi se trupat ukrainase të shtunën kanë marrë nën kontroll kullën televizive në Kramatorsk, që ndodhet pranë bastionit të pro-rusëve të Slovianskut.

Ndërkohë, e dërguara e BBC në Donetsk njofton se pavarësisht se forcat ukrainase po vazhdojnë operacionet rreth Slovianskut, ato ende nuk kanë provuar të avancojnë drejt qendrës së qytetit.

Ditën e premte, dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri që përfshiu një ndërtesë të marrë nën kontroll nga separatistët pro-rusë në Odesa, në jug-perëndim të vendit.

Autoritetet deklaruan se shumica e njerëzve që ndodheshin brenda humbën jetën të asfiksuar nga tymi, ndërsa të tjerët pasi u hodhën nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve.

 

Share Button