Kievi nis operacion për rimarrjen e Sllovianskut

Forcat qeveritare ukrainase kanë nisur një operacion për të rimarrë qytetin lindor të Sllovianskut të pushtuar nga forcat pro-ruse. Sipas ministrit të Brendshëm Arsen Avakov, 1 pilot ukrainas është vrarë ndërsa të tjerë ushtarë janë plagosur. Sipas tij, militantët pro-rusë të armatosur kanë hapur zjarr ndaj dy helikopterëve ndërsa plumbat kanë vrarë njërin nga pilotët. Ndërsa nga ana e tyre, separatistët në Slloviansk e kanë mohuar të kenë hapur zjarr. Agjencitë e lajmeve raportojnë për të shtëna, shpërthime dhe helikopterë ushtarakë që qëllojnë në rrethinat e Slovianskut. Në një deklaratë për mediat, ministry Avakov tha se tashmë forcat qeveritare ukrainase kanë hyrë në një fazë aktive, në të cilën janë përfshirë forcat e brendshme dhe Garda Kombëtare. Televizioni shtetëror rus “Rossiya 24″ më herët deklaroi se qyteti po “bastisej” ndërsa të mërkurën e 30 prillit, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se çdo operacion do të kishte “pasoja katastrofike”. Më herët, presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexandr Tuchynov futi sërish në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për t’u përballur me sigurinë e degraduar në lindje të vendit. Lëvizja, e shpallur me një dekret, erdhi teksa militantët pro-rusë morën nën kontroll zyrën e prokurorit rajonal në Donetsk, një qytet ku shumica e ndërtesave qeveritare tashmë është nën kontrollin e tyre. Ende në kufirin lindor të Ukrainës qëndrojnë rreth 40 mijë trupa ruse. Sot pritet që situata e tensionuar në lindje të Ukrainës dhe qëndrimi i Rusisë, të jenë në qendër të bisedimeve edhe mes presidentit amerikan Barack Obama dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Washington.

Share Button