Këshilli i Mandateve autorizon sot arrestimin e Saimir Tahirit, ja deputetët që vendosin

Sot në orën 11:00 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë për të autorizuar arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit socialist Saimir Tahiri, kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i dyshuar për lidhje me trafikun e drogës.

Anëtarët e Këshillit që do të vendosin janë: Gramoz Ruçi – kryetar (PS), Klotilda Bushka – anëtare (PS), Bledar Çuçi – anëtar (PS), Vasilika Hysi – anëtare (PS), Ulsi Manja – anëtar (PS), Eduard Halimi – anëtar (PD), Gent Strazimiri – anëtar (PD), Enkelejd Alibeaj – anëtar (PD), Nasip Naço – anëtar (LSI), Dhurata Çupi – anëtar (PD). Anëtarët zëvendësues janë: Musa Ulqini (PS), Besnik Baraj (PS), Myslim Murrizi (PD), Bardh Spahia (PD), Luan Rama (LSI).

Më poshtë,  edhe deklarata e plotë e Kryetarit të Kuvendit dhe urdhri i tij, dhënë mbrëmjen e djeshme lidhur me këtë mbledhjen e Këshillit. Ruçi tha: Duke ju falënderuar për këtë komunikim të parë si Kryetar i Kuvendit me ju, do të dëshiroja një komunikim tjetër, por në respekt të interesit të publikut, lidhur me kërkesën e bërë ditën e sotme nga Prokuroria e Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë, për dhënien e autorizimit për ndalimin e deputetit z. Tahiri dhe, mbi të gjitha për t’i dhënë fund çdo spekulimi, i cili është transmetuar dhe në mediat tuaja, për veprime dhe për mosveprime nga ana e Kryetarit të Kuvendit, më lejoni t’ju njoftoj ju dhe nëpërmjet jush, gjithë opinionin publik se sot, në datën 19 tetor 2017, më është paraqitur pikërisht në orën 17:00 nga strukturat e Kuvendit, kërkesa e bërë nga Prokuroria e Tiranës për dhënien e autorizimit asaj, lidhur me ndalimin e deputetit Saimir Tahiri.

Mbasi u konsultova me stafin e Kuvendit lidhur me gjykimin dhe vlerësimin e tyre për nenin 73 pika 2 e Kushtetutës të Shqipërisë, për nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, për nenin 285 të ligjit 35/2017 dhe me Rregulloren e Kuvendit, nenin përkatës, që interpreton mënyrën e veprimit të Kryetarit të Kuvendit në raste të tilla, si edhe me precedentët parlamentarë 27 vjeçar, mund t’ju them se sot brenda ditës, pra brenda datës 19 tetor 2017, dhe në orën 18:30 kam nxjerrë këtë urdhër:

Materiali i depozituar pranë Kuvendit nga ana e Prokurorisë së Tiranës t’u vihet në dispozicion brenda ditës së sotme të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve.

Ky material brenda ditës së sotme t’i vihet në dispozicion deputetit Saimir Tahiri.

Brenda ditës së nesërme, pra në datën 20 tetor 2017, në orën 11:00, pranë selisë së Kuvendit, kam urdhëruar thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet.

Njoftimin e Prokurorit të Tiranës dhe të deputetit Saimir Tahiri për vendin, kohën dhe rendin e ditës së kësaj mbledhjeje.

Urdher nr.2, date 19.10.2017

Bazuar në urdhrin nr. 2, datë 19.10.2017 të Kryetarit të Kuvendit, nesër, datë 20 tetor ora 11:00 mblidhet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit me rend dite:

Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  për Krime të Rënda, Tiranë, depozituar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me shkresën nr. 9906 datë 19.10.2017 për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Saimir Tahiri.

 

Share Button