Këshilli Kombëtar i Territorit i hap rrugë ndërtimit të TAP

Projekti i Gazësjellësit TAP merr lejen nga Këshilli Kombëtar i Territorit për të nisur ndërtimin në Shqipëri. Leja zhvillimore komplekse mund të konsiderohet si një prej aprovimeve më të rëndësishme që i janë dhënë TAP AG prej autoriteteve shqiptare dhe nënkupton të drejtën e nisjes së ndërtimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për vendin. Ky aprovim do të ndiqet nga një fazë e dytë, gjatë së cilës pritet të bëhet lëshimi i Lejes Komplekse Zhvillimore nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në pjesë sipas të gjitha seksioneve dhe fazave të zhvillimit të sistemit të gazsjellësit TAP. Ndërtimi i gazsjellësit TAP do të sjellë edhe zhvillime infrastrukturor në zonat ku do të kalojë. Pas marrjes së kësaj leje do të nisë si fillim rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve dytësore dhe urave në Shqipëri, duke nisur nga viti 2015 dhe kjo fazë do të ndiqet nga shtrimi i tubacionit të gazsjellësit dhe ndërtimi i faciliteteve të tjera lidhur me infrastrukturën e transportit të gazit. TAP do të jetë një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri me një kosto ndërtimi rreth 1 miliard euro. Gjatë ndërtimit të gazsjellësit, TAP do të krijojë mundësi punësimi për vendin në fushat e ndërtimit, transportit dhe komunikimit, prodhimit dhe shërbimeve, tregtisë, financës dhe shërbimeve të biznesit . TAP gjithashtu do të krijojë mundësinë që Shqipëria të zhvillojë një treg vendor gazi dhe lidhje me rrjetet rajonale të gazit. TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë.

Share Button