Këshilla për veshka të shëndetshme nga Dr.Vilma Çadri

Nga Dr.Vilma Çadri, shërbimi i Nefrologjisë dhe Hemodializës, QSUT

Data 9 Mars njihet si Dita Botërore e Veshkës, pasi sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë në të gjithë botën. Gjithashtu, sëmundjet që prekin veshkat janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë. Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme. Ato kanë role të shumta biologjike, si p.sh rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si sodiumi, potasi, fosfori, kalciumi, eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë, prodhojnë disa hormone, p.sh. reninën që ndikon në presionin arterial, nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.

Dr. Vilma Çadri, mjeke në Shërbimin e Nefrologjisë dhe Hemodializës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, thotë se “Veshkat njihen si biokimia e organizmit dhe janë organe që punojnë në prapaskenë. Ato, në përgjithësi nuk janë familjare për shumicën e njerëzve, pasi edhe sëmundjet që i prekin në pjesën më të madhe nuk shfaqin shenja apo simptoma”. Sipas saj, aktualisht sëmundjet e veshkave prekin një në dhjetë persona dhe prandaj sëmundja kronike e veshkave renditet si shkaku i nëntë i vdekjes në botë. Kjo përbën dhe sfidën e mjekut nefrolog sot, sensibilizimin dhe edukimin e popullatës për sëmundjet që prekin veshkat.

Personat e prekur nga sëmundjet e veshkave nuk shfaqin asnjë shqetësim, nuk kanë dhimbje ose shenja të tjera të dukshme. Kur pacienti fillon të ketë shenja, pra dhimbje ose ankesa të ndryshme, funksionimi normal i veshkave është prekur me 60-70% dhe dëmtimi është i pakthyeshëm. Këto ankesa konsistojnë në lodhje, pafuqi, pagjumësi, shije metalike në gojë, enjtje ose jo e syve dhe anësive, urinë me ngjyrë të errët, lëkurë të zbehtë, kruarje të trupit dhe humbje në peshë.

“Në Ditën Botërore të Veshkës dua të këmbëngul në disa këshilla të thjeshta për të parandaluar prekjen e këtij organi nga sëmundje të ndryshme” shprehet dr. Çadri.

Këshillat

1.Ruajtja e peshës trupore dhe aktivitet fizik i rregullt

Koncepti “në lëvizje për shëndetin e veshkave” nënkupton gjithëpërfshirja e profesionistëve dhe njerëzve të zakonshëm në zona publike për ecje, vrapim apo ciklizëm për të paktën 50 min 5-6 ditë në javë.

2. Kontrolli i rregullt i nivelit të sheqerit në gjak

Gjysma e individëve me Diabet Mellitus zhvillojnë sëmundje të veshkave kështu është shumë e rëndësishme që këta pacientë të testohen rregullisht për funksionin e veshkave. Sa më herët të zbulohet ky dëmtim aq më shumë mundësi kemi në dispozicion për parandalimin e saj.

3. Monitorim në dinamikë i presionit arterial dhe nivelet e kolesterolit në gjak

Megjithëse njerëzit janë të sensibilizuar për rëndësinë e tensionit arterial dhe pasojat e tij në zemër dhe tru, shumë pak prej tyre e dinë që ai është shkaku i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Vlerat normale të presionit arterial janë 120/80mmhg. Vlerat mes normës dhe 139/89mmhg konsiderohen gjendje prehypertensioni që kërkon modifikimet dietetike dhe të stilit të jetesës. Vlerat PA>140/90mmhg kërkojnë konsultim në dinamikë me mjekun. Kur hypertensioni shoqërohet me vlera të larta të kolesterolit në gjak, me DM dhe sëmundje kardiovaskulare risku i dëmtimit të veshkës është më i lartë.

4. Përdorim i ushqimeve të shëndetshme për veshkat

Rekomandimi i parë dhe i rëndësishëm për dietën e veshkave është kufizimi i kripës që nënkupton mosshtim të kripës ekstra në ushqim si dhe kufizim të përdorimit të ushqimeve të konservuara dhe të ngrira. Të evitohet përdorimi i produkteve të gazuara. Rekomandohen me prioritet nga mishrat peshku dhe pula disa herë në javë, nga zarzavatet shpargu, lakra, lulelakra, specat, qepët, kungujt, patatet, kastravecat, majdanozi dhe hudhra dhe nga frutat shalqiri, portokalli, limoni, boronicat e kuqe dhe blu, mollët, rrushi, qitro, banane, luleshtrydhe si dhe përdorimi i drithërave dhe vajit të ullirit.

5. Ruajtje e hidratimit të trupit

Megjithëse studime të ndryshme referojnë vlera të ndryshme të sasisë së konsumit ujor në ditë, të gjitha pranojnë njëzëri se sasia 1.5-2l ujë në 24h ose 6-8 gota ujë në ditë është e shëndetshme për veshkën. është e rëndësishme të theksojmë që gjatë verës, gjatë udhëtimeve nëpër zona të ngrohta apo gjate aktivitetit fizik duhet shtuar konsumimi i ujit për të kompensuar humbjet me djersën. Madje dhe n.q.s ne konstatojmë urinë me ngjyrë të errët është shenjë për të reaguar për shtimin e ujit gjatë ditës, pasi jemi të dehidruar.

6. Mos rezisto ndaj nevojës për të urinuar

Megjithëse vezika urinare mban sasi të madhe urinë nevoja për të urinuar ndihet kur në të ka 120-150ml/urinë dhe nëse ne e injorojmë nevojën e urinimit dhe kjo gjë përsëritet ne dëmtojmë gradualisht kapacitetin mbajtës të vezikës dhe në vijim dëmtojmë veshkat

7.Evitoni përdorimin e rregullt të medikamenteve të dhimbjes

Ipubrufeni, voltareni apo naproxeni nuk shkaktojnë dëmtime në subjekte me veshka të shëndosha dhe kur ato konsumohen për urgjenca. Por nëse ju vuani nga dhimbja kronike si artriti dhr dhimbjet e mesit duhet të konsultoheni me mjekun për te gjetur medikamentet e duhura.

Shkak për sëmundje kronike të veshkave sipas rëndësisë janë:

1.Diabeti Mellitus
2.Hypertensioni dhe sëmundjet kardio-vaskulare
3.Obeziteti
4.Anamneza positive familjare për sëmundje të veshkave si reni polikistik
5.Medikamentet e ndryshme nefrotoksike

 

Share Button