Kerry: Rusia të zbatojë marrëveshjen mbi Ukrainën

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry i ka kërkuar Rusisë të marrë hapa konkrete për të zbatuar marrëveshjen që ka për qëllim uljen e tensioneve në Ukrainë.

Kerry i ka bërë me dije ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se hapat që Rusia duhet të ndërmarrë përfshijnë një thirrje publike për separatistët që të lirojnë ndërtesat dhe postblloqet që ata i kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme, të pranojnë amnistinë dhe të trajtojnë pakënaqësitë e tyre politike.

Këto hapa kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të arritur më 17 prill mes diplomatëve të lartë nga Ukraina, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për uljen e tensioneve në Ukrainën lindore.

Të hënën zv/presidenti amerikan Joe Biden arriti në Kiev për bisedime me presidentin e Ukrainës në detyrë, Oleksandr Turchynov dhe me kryeministrin e përkohshëm Arseniy Yatsenyuk.

Vizita e tij vjen ndërkohë që situata në Ukrainë lindore mbetet e tensionuar, pavarësisht nga arritja e një marrëveshjeje që ka për qëllim lehtësimin e krizës.

Share Button