Kerry: Rusia të mos sabotojë zgjedhjet në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi Rusinë se do të përballet me sanksione të tjera nëse ajo përpiqet të sabotojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe nuk e ndalë mbështetjen e saj për separatistët në Ukrainën lindore.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq, ndërsa elementët rusë nxisin jostabilitetin”- tha Kerry duke folur në Departamentin e Shtetit në Uashington pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ai tha se sanksionet deri më tani kanë patur një ndikim të madh mbi ekonominë ruse në vështirësi dhe se ky është vetëm fillimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ndaj Rusisë.

Ndërkaq shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton i quajti zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë një hap shumë të rëndësishëm drejt stabilizimit.

Ajo tha se populli ukrainas do të vendosë se çfarë të ardhme do të ketë Ukraina.

 

Share Button