Kerry kritikon ashpër Rusinë

Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se Rusia nuk ka marrë asnjë hap konkret për të qetësuar krizën në Ukrainë dhe ai paralajmëroi se kundërshtimi i Moskës për të vënë nën kontroll separatistët e armatosur pro-rusë në Ukrainën lindore do të ishte një gabim që do t’i kushtojë shtrenjtë.

Kerry i bëri komentet mbrëmë në Uashington.

Në një kritikë të fortë ai tha se Moska nuk ka respektuar marrëveshjen katër palëshe që nënshkroi javën e kaluar për të qetësuar tensionet në Ukrainë.

Ai akuzoi gjithashtu televizionin e mbështetur nga Kremlini se po propagandon variantin e Kremlinit për zhvillimet në Ukrainë, të cilin ai e cilësoi si fantazia e zotit Putin.

Ndërkaq Rusia po u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të detyrojnë Ukrainën të ndalë operacionet ushtarake kundër separatistëve pro-rusë të cilët kanë uzurpuar ndërtesa në Ukrainën lindore.

Diplomatët në Kombet e Bashkuara thonë se Rusia ka thirrur ambasadorin e saj në Moskë për konsultime urgjente.

Ky fakt u bë i ditur pak pasi Moska akuzoi Kievin se ka dislokuar njësi ushtarake dhe paraushtarake me elementë ultra nacionalistë kundër popullatës kryesisht rusisht-folëse në Ukrainën lindore.

Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse shkruan se autoritetet ukrainase janë nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara.

 

Share Button