Kerry do të dëshmojë për çështjen e Bengazit

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të dëshmojë përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve mbi sulmet ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë. Burime nga Departamenti i Shtetit kanë thënë se paraqitja e zotit Kerry përpara një paneli do të thotë se atij nuk do t’i duhet të dëshmojë përballë komitetit të posaçëm të ngritur për rastin e Bengazit. Kerry pritet të dëshmojë më 12 qershor. Një ambasador amerikan dhe tre anëtarë të tjerë të stafit të selisë diplomatike humbën jetën nga sulmi i ndodhur në shtator 2012. Republikanët kanë argumentuar se administrata demokrate e presidentit Obama keqinformoi publikun mbi natyrën e sulmit.
Demokratët në Kongresin amerikan kanë emëruar pesë përfaqësues për panelin e posaçëm mbi sulmet në Bengazi, pavarësisht se pretendojnë se gjithçka është e motivuar politikisht nga politikanët republikanë. Zoti Kerry, që në atë kohë nuk ishte ende sekretar, më herët ishte thirrur nga komiteti mbikëqyrës për t’u paraqitur gjatë majit, por nuk mundi ta realizonte këtë për shkak të krizës në Ukrainë.
“Ne mendojmë se ka dëshmitarë më të përshtatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me reagimin e departamentit ndaj hetimit të Kongresit mbi sulmet në Bengazi”, thuhej në një letër zyrtare të shkruar të premten. “Gjithësesi, për hir të organizimit dhe për zgjidhjen një herë e mirë të kësaj çështjeje, sekretari është përgatitur të shfaqet përpara komitetit”, vijon letra. Komiteti i posaçëm mbi Bengazin, i pajisur me autorizimin për të vepruar brenda fundit të vitit, ishte miratuar më herët me një shumicë partiake.

Share Button