I kërkon biletë kolegut, sherr me sende të forta mes fatorinove

Një fatorino i një linje urbane në Tiranë është dënuar me 1.5 mln lekë gjobë, pasi është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për dëshmi të rreme. Bëhet fjalë për shtetasin E.K., i cili ka kallëzuar penalisht një kolegun e tij për rrahje.

Ngjarja ka ndodhur në 19 korrik të këtij viti në autobusin urban. Sipas dëshmisë së të pandehurit që u dënua nga Gjykata, kolegu i tij ka hipur në urban atë ditë, ndërsa ai i është afruar për t’i marrë paratë e biletës.

Faturinoja tjetër nuk ka pranuar ta paguajë biletën, pasi sipas rregullores së firmës private që kanë urbanët, atij i lejohet të lëvizë falas. Pavarësisht kësaj, fatorinoja, E.K., që ishte në detyrë, ka insistuar për pagesën duke debatuar me të ashpër. Debati ka degjeneruar në konflikt fizik dhe E.K. është goditur nga kolegu me çelësa në fytyrë dhe trup, duke humbur aftësinë për punë për disa ditë me radhë.

Në Polici ai ka dhënë detaje për fatorinon që e sulmoi, deri sa Policia e ka identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat. Aty, më pas është zbuluar se E.K., i cili u godit nga kolegu, ka qenë në dijeni të rregullores, se punonjësit brenda firmës lëviznin pa paguar biletë në urban. Kështu, Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e tij për të paguar biletën nga ana e kolegut ka qenë e tepërt dhe se dëshmia e tij në Polici ka qenë e rreme.

Në këto kushte, ai u dënua me 1.5 milionë lekë të vjetra gjobë nga ana e Gjykatës së Tiranës për dëshmi të rremë.

Share Button