Kërkimet për “Malaysian Airlines” mund të zgjasin 1 vit

Drejtuesi i kërkimeve për avionin e zhdukur të “Malaysian Airlines” deklaroi se operacionet mund të zgjasin deri në një vit. Duke folur nga Malajzia, Angus Houston deklaroi se besonte se një “kërkim efikas” do ta gjejë avionin. Autoritetet nga Australia, Kina dhe Malajzia do të takohen javën e ardhshme në Kanberra për të diskutuar mbi operacionet në fjalë. Takimi pritet të përcaktojë se cilat hapa do të ndiqen në fazat e ardhshme. “Ky është një takim shumë i rëndësishëm sepse do të formalizojë hapat e mëtejshëm në mënyrë që këto operacione të vazhdojnë me urgjencë dhe të mos ndalojnë në asnjë fazë”, deklaroi Houston. Zyrtari njoftoi se kërkimet në fund të detit do të zgjerohen në zonën ku, në bazë të të dhënave satelitore, besohet se avioni është rrëzuar. “Me shumë gjasa kërkimet do të kërkojnë nga 8 deri në 12 muaj kohë, nëse do të kemi mot të keq apo probleme të tjera. Por ne jemi tërësisht të angazhuar për të gjetur avionin dhe jam i bindur se me një kërkim efikas do ta gjejmë”, tha ai. Ndërkohë, një raport nga Ministria malajziane e Transporteve ka treguar një hendek prej 4 orësh kohë mes zhdukjes së avionit dhe nisjes së operacioneve të kërkimit. Raporti ka zbuluar gjithashtu se kontrollorët e trafikut ajrore nuk e kuptuan që avioni u zhduk pa kaluar 17 minuta nga shkëputja e tij nga radari.

Share Button