Kërkimet për “Malaysia Airlines” do të kryhen me nëndetëse robot

Grupet që po zhvillojnë kërkime për avionin e zhdukur malajzian pritet të shfrytëzojnë për herë të parë një nëndetëse robot. Shefi i kërkimeve, Angus Hjuston, tha se Bluefin-21 do të dërgohet nën ujë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kërkuar pjesë të avionit në thellësi. Ekspertët kanë përdorur pajisje të sofistikuara për lokalizimin e sinjaleve nga kutia e zezë, por që prej 8 prillit ata nuk kanë kapur sinjale të reja dhe ekziston frika se bateritë mund të kenë skaduar. Fluturimi MH370 u zhduk më 8 mars me 239 persona në bord. Avioni po fluturonta nga Kuala-Lumpuri në Pekin, kur humbi kontaktet me kullën e kontrollit ajror. Autoritetet malajziane, bazuar në të dhënat satelitore, besojnë se avioni ka përfunduar në Oqeanin Indian, mijëra kilometra larg destinacionit fillestar. Autoritetet australiane që po koordinojnë kërkimet, thanë se duke qenë se nuk kishin kapur asnjë sinjal që prej gjashtë ditësh, ishte koha të shkonin nën ujë.

Share Button