KE propozon liberalizimin e vizave për Kosovën

Komisioni Evropian i propozoi sot Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Komisioneri për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhëzuesi për liberalizim të vizave dhe se shpreson se tani edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli, do ta miratojnë propozimin.

Edhe ministri i Integrimit Europian në Kosovë, Bekim Çollaku ka konfirmuar përmes një deklarate në Facebook, rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për kosovarët.

“Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Çollaku, i cili ka konfirmuar se brenda këtij viti, qytetarët e Kosovës do të nisin udhëtimin pa viza në zonën “Schengen”.

Ministri kosovar i Integrimit Europian tha se, izolimi i Kosovës tanimë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës.

 

Share Button