Katari i përkushtuar në sigurinë e Gjirit

Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, të enjten hodhi poshtë çdo mundësi që vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (KBGJ) dhe përsëriti angazhimin e Katarit në sigurinë e Gjirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat e Katarit, Al Thani theksoi gjithashtu se vendi i tij nuk do të ekstradojë Yusuf al-Karadavin, drejtorin e Unionit Ndërkombëtarë të Dijetarëve Islam, i cili kërkohet nga autoritetet egjiptiane.

“Ai nuk është terrorist, por një disident politik me mendimin e tij. Kemi disa individë të tillë nga shumë vende, jo vetëm nga Egjipti. Ne nuk u lejojmë atyre të bëjnë ndonjë aktivitet politik në Katar ose ta përdorin vendin tonë si platformë për fyerje apo sulme ndaj vendeve të tyre”, ka thënë Al Thani.

Ai tha se Katari nuk ka tërhequr investimet e veta në Egjipt, me vlerë rreth 20 miliardë dollarë (rreth 17 miliardë euro), sepse “këto investime ndihmojnë qytetarët egjiptianë dhe kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike”.

“Katari beson se një Egjipt i fortë do të ketë ndikim pozitiv në botën arabe”, tha Al Thani.

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit vlerësoi KBGJ-në si “një burim të rëndësishëm të stabilitetit në rajon”.

“Katari do të mbetet i përkushtuar për sigurinë e Gjirit pavarësisht nga fakti se vendet që na bllokuan, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreini, kanë sjellë KBGJ-në në një situatë të rrezikshme duke shkelur parimet themelore”, theksoi Al Thani.

Ai u bëri thirrje shteteve anëtare të KBGJ-së “të respektojnë sovranitetin e anëtarëve të Këshillit”. Ai gjithashtu përsëriti gatishmërinë e vendit të tij për dialog pa parakushte, ku do të diskutohen kërkesat e vendeve kundër Katarit.

“Por, para dialogut, bllokada ndaj Katarit duhet të hiqet”, tha Al Thani.

Në qershor të këtij viti, Arabia Saudite, Egjipti, EBA-të dhe Bahreini ndërprenë papritmas marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit në rajon dhe për bashkëpunim me Iranin.

Doha zyrtare mohoi ashpër akuzat për mbështetjen e terrorizmit dhe hapin e këtyre katër vendeve e ka quajtur shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Share Button