Katari përjashtohet nga Koalicioni Ndërkombëtar në Jemen

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë njoftuar ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin, për, siç thonë autoritetet e tyre zyrtare, shkaqe sigurie, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite të publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve njoftohet për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin për shkaqe të sigurisë kombëtare të vendit dhe për mbylljen e kufirit detar dhe atij ajror.

Në deklaratë, Arabia Saudite ka akuzuar Katarin për mbështetje të grupeve terroriste dhe promovim të grupeve terroriste në media dhe për mbështetje ndaj militantëve të Lëvizjes Husi në Jemen, me çka, siç thuhet në deklaratë, ky vendim në të njëjtën kohë është marrë “në solidarizim me shtetin vëllazëror Bahreinin pasi Katari mbështeti aktivitetet terroriste në Bahrein”.

Sipas deklaratës, shtetasve të Arabisë Saudite u është ndaluar udhëtimi dhe qëndrimi i vazhdueshëm në Katar, ndërsa shtetasve të Katarit u është ndaluar hyrja në vend dhe përdorimi i aeroporteve për transit.

Ndërkaq, shtetasve të Katarit që veçmë ndodhen në Arabi Saudite u është kërkuar që brenda 14 ditësh ta braktisin vendin, ndërsa, siç njoftohet, ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të ndikojë tek ata që udhëtojnë për kryerjen e Haxhit dhe Umres.

Në ndërkohë, në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të EBA-ve publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve ENA, theksohet se EBA-të mbështesin vendimin e Bahreinit dhe Arabisë Saudite për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe se edhe EBA-të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

Siç bëhet e ditur, autoritetet e vendit u kanë dhënë afat prej 48 orësh diplomatëve të Katarit për ta braktisur vendin, kurse shtetasit duhet ta lëshojnë atë në afat prej 14 ditësh.

Ndërkaq, edhe Bahreini, siç kanë njoftuar autoritetet e tyre, ka thirrur prapa misionet diplomatike në Doha dhe ka kërkuar nga diplomatët e Katarit në vend që brenda 48 orëve ta braktisin shtetin.

Nga ana tjetër, edhe autoritetet e Egjiptit njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, për arsye të, siç thuhet, “qëndrimeve armiqësore”.

Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit thuhet se “Katari përhap ideologjinë e Al Kaedës dhe DEASH-it, mbështet organizatat terroriste në Gadishullin e Sinait dhe ndërhyn në punët e brendshme të Egjiptit dhe shteteve arabe”.

Tensionet diplomatike midis vendeve u përshkallëzuan pas hakimit të agjencisë zyrtare të lajmeve Katar, QNA, në të cilën u publikuan informacione “kundër SHBA-ve dhe pro-Iranit”, të cilat iu atribuuan Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Edhe pse autoritetet e Katarit menjëherë kishin dalë me deklaratë për të njoftuar për sulmin kibernetik ndaj QNA-së dhe për të përgënjeshtruar deklaratat e plasuara, mediat e Arabisë Saudite dhe EBA-ve vazhduan të përdorin deklaratat e atribuuara Al Thanit.

Share Button