Katari ndihmon muslimanët e Arakanit

Instituti i Bamirësisë së Katarit, dhuroi ndihmë ushqimore për muslimanët e Arakanit të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe janë strehuar në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Instituti i Bamirësisë së Katarit ndau pako ushqimore për më shumë se 1 mijë qytetarë të Arakanit, të cilët janë strehuar në kampet në qytetin Co’x Bazar, në kufi të Bangladeshit. Në këto pako ushqimore ndodhen ushqimet të cilat do t’i përmbushin nevojat e përditshme të muslimanëve të Arakanit të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit.

Drejtori i zyrës së këtij Instituti në Bangladesh, Ahmed Emin Hafız, në një deklaratë për AA tha se këto pako ushqimore të cilat përbëhen prej sheqerit, orizit, miellit, patates dhe vajit do të plotësojnë nevojat e të strehuarve për dy javë.

Hafiz njoftoi se që nga fillimi i krizës në Arakan, Katari ka dhuruar ndihma ushqimore në vlerë prej 400 mijë dollarë.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar kundër militantëve të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra. Ndërkaq, 84 për qind nga gjithsej afër dy milionë muslimanë të Arakanit që janë përballur me sulme sistematike dhe spastrim etnik në Mianmar që nga vitet e 70-ta, janë strehuar në vendet fqinje.

Share Button