“Karvani i Femrës Muslimane” në Bajram Curri

Qyteti i Bajram Currit mirëpriti Karvanin e Femrës Muslimane. Një nga aktivitetet më të mëdha të femrës muslimane në Ballkan, “Karvani i Femrës Muslimane”, pas një udhëtimi mbresëlënës në prill të 2013 në qytetin e Shkodrës, ndaloi më datë 17 maj 2014 në Bajram Curri, në qytetin e bujarisë dhe të mikëpritjes fisnike tropojane. Dhjetëra dhe qindra intelektuale, gra dhe vajza nga qyteti i Tiranës, rrethi i Tropojës, i Hasit dhe rrethinave përreth u bënë pjesë e këtij karvani, i mbajtur në ambientet e Hotel “EuroBushi” në qendër të qytetit. Ky eveniment kaq i rëndësishëm kulturor u realizua si fryt i bashkëpunimit me Myftininë e Tropojës dhe aktiviste të qytetit të Bajram Currit dhe Hasit, ku përmendim znj. Blerina Hasanaj, znj. Enkeleda Hoxha dhe znj. Shpresa Kapica.     Me një prezantim dinjitoz nga znj. Diana Syla, arritën të përcillen bukur dhe me emocion tek të gjithë të pranishmit mesazhet e qarta, përmes temës së këtij karvani: “Rinia mes sfidave të së ardhmes”.
Aktiviteti u çel me pjesë nga Kurani Famëlartë, të interpretuar nga dy fëmijë të zonës së Hasit, e më tej pjesëmarrëset u njohën me një material të shkurtër filmik të rrugëtimit të Karvanit të Femrës Muslimane ndër vite.

Më pas aktiviteti u përshëndet nga znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Ajo falënderoi përzemërsisht të gjitha pjesëmarrëset në sallë. Ndër të tjera ajo theksoi se, – “kombi ynë që dikur njihej për traditën, për besën dhe fisnikërinë, moralin e edukatën dhe që nuk guxonte t’i cënonte askush, tashmë këto rregulla, parime e sjellje kanë filluar të veniten. Shoqëria shqiptare e veçanërisht rinia e saj po shkon drejt humbjes së vlerave morale”. Mesazhi i saj ishte bashkimi dhe rikthimi i vlerave të dikurshme të familjes shqiptare dhe i rinisë së saj.
U vijua më tej me fjalën përshëndetëse të znj. Enkeleda Hoxha, një grua e nderuar e qytetit të Bajram Currit, aktiviste dhe përçuese e mësimeve të bukura islame ndër brezat e rinj të këtij qyteti.

Share Button