Kapet pas 3 muajsh autori i vrasjes në lokalin e Vlorës

Pas tre muajsh në arrati, policia ndalon një nga autorët e dyshuar të krimit në një lokal në Ujin e Ftohtë në Vlorë, ku ku u vra me armë zjarri një shtetas si edhe u plagosën tre të tjerë.

Mesohet se sot shërbimet e Policisë Kufitare në Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim: Eljaso Çela, 23 vjeç, banues në Tiranë (me precedent të mëparshëm kriminal).

Ndalimi i tij u bë pasi, ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2017, ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku në ambjentet e një lokali është vrarë me armë zjarri shtetasi Ergys Gjioveshaj si edhe janë plagosur tre shtetas të tjerë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas mund të ketë konsumuar elementë të veprave penale : “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 79/dh; 278 të Kodit Penal.

Veprimet e mëtejshme proceduriale në lidhje me këtë rast i ndjek Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Ngjarja 

Krimi ne Vlore ndodhi me 20 prill, ku mbeti i vrarë me 6 plumba Ergys Gjioveshaj, i cili kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burg, ndërsa u plagosën Florian Hila që ishte muzikant, Arta Lluka, që shoqëronte viktimën dhe Arsonel Llanaj, kamerier në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Policia vetëm një ditë pas krimit arrestoi shtetasin Gani Tozaj, 19 vjeç, ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasin Aranit Kondaj dhe shtetasin E.S., 25 vjeç, për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Nje nga te arrestuarit 

Gani Tozaj, 19 vjeç, eshte nje nga te arrestuarit qe ndodhet ne burg si i akuzuar për vrasje në bashkëpunim ndaj Gjioveshajt dhe plagosjen e tre personave të tjerë.

Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Laurent Fuçia, prokurori Elidon Hysenaj ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për Tozajn, duke e cilësuar si bashkëpunëtor dhe autor në vrasjen e Ergys Gjioveshajt.

Kërkesa e prokurorit të çështjes është cilësuar e ligjshme nga trupi gjykues, ndërkohë që avokati i mbrojtjes Vladimir Sadikaj ka kërkuar një masë sigurie më të lehtë për 19- vjeçarin, me pretendimin se plumbat të cilat kanë shkaktuar vdekjen e Gjioveshajt janë qëlluar nga i shpalluri në kërkim Arianit Kondaj.

Sipas mbrojtjes, Tozaj nuk ka qenë autor por bashkëpunëtor i të shpallurit në kërkim Kondaj, gjatë momentit të grindjes që më pas përfundoi me të shtëna armësh. Madje, avokati i të riut, duke shkuar edhe më tej në deklaratën e tij, tha se Tozaj nuk ka pasur armë me vete.

Gjatë seancës 19-vjeçari nuk ka deklaruar asgjë, ndërsa ka folur vetëm avokati mbrojtës i tij. Në fund të seancës, trupi gjykues vendosi ta lërë në burg të riun deri në përfundim të hetimeve ku do të përcaktohet edhe roli i tij në këtë ngjarje që tronditi pak ditë më parë Vlorën. Akuza që rëndon mbi 19-vjeçarin është “vrasja në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave” dhe “armëmbajtje pa leje”.

arrestim-policia

viktima

 

Share Button