Kapet avioni në Divjakë, dyshohet që transportone drogë

Policia e Shtetit në një superoperacion të zhvilluar në orët e pasdites së sotme ka bllokuar një avion në Divjakë të Lushjes, i cili fluturonte pa leje në hapësirën ajrore shqiptare.  Burime nga policia bëjnë me dije se piloti i avionit të bllokuar është një shtetas italian, ndërsa dyshohet se avioni transportonte lëndë narkotike. Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme për momentin nuk mund të japin më shumë detaje, pasi operacioni është në vazhdimësi. Prej ditësh Partia Demokratike ka nisur një seri akuzash për Forcat e Armatosura në lidhje me trafikun e drogës. Fillimisht ata ngritën disa pyetje për Ministren dhe Kryeministrin, më pas e ashpërsuan gjuhën për të arritur te dita e djeshme ku në mënyrë konkrete thanë se nga aeroporti i Gjadrit dhe Divjakës është ngritur avion ushtarak me lëndë narkotike. Burime nga kjo parti bënë me dije se selia blu disponon një letër të shërbimit sekret shqiptar, që duket se konfirmon ekzistencën e dyshimeve mbi përdorimin e strukturave të ushtrisë për trafikun e drogës. Mbi këtë letër të Shërbimit Informativ Shtetëror duket të jetë bazuar denoncimi publik i bërë nga drejtues dhe deputetë të PD-së, të cilët akuzojnë ushtrinë shqiptare për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.

Share Button