Kanceri i gjirit dhe 4 hapat për t’u mbrojtur nga ai

Studimi, i realizuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit dhe i publikuar në “Cancer Epidemiology, Biomarkers, and Prevention”, tregoi se sa më aktive janë gratë, aq më pak janë të prira për të zhvilluar kancer të gjirit.

Rezultati pasoi një studim të ngjashëm, i cili tregoi se aktiviteti fizik edhe te gratë më të reja ndikon në mënyrën se si organizmi i femrës përballet me nivelet e estrogjenit.

Këto dhe studime të tjera kanë treguar se ju nuk jeni të pafuqishme në luftën kundër kancerit të gjirit. Ja katër hapa të cilat janë në duart tuaja.

1.Eliminimi i peshës së tepruar- Studimet tregojnë një lidhje të fuqishme mes mbipeshës dhe kancerit të gjirit. Në mesin e shumë studimeve në lidhje me këtë, sipas Surgeon General, mbipesha prej rreth 10 kilogramësh nga mosha 18 deri në moshë të mesme dyfishon rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri më vonë në pas-menopauzë (në të 50-tat).

2.Mësoni dendësinë e indit të gjinjve tuaj- Mbase keni dëgjuar se duke pasur ind të dendur të gjirit rritet gjasa për kancer. Por a e dini sa është dendësia e gjirit tuaj? Gjinjtë dallojnë shumë sa i takon dendësisë, që përcaktohet nëse ato kanë më shumë ind fibroz dhe gjëndra ose më shumë dhjam.

Nëse nuk e dini se në cilin grup të dendësisë së gjirit bëni, bisedoni me mjekun tuaj dhe gjejeni. Kjo është e rëndësishme pasi nëse bëni pjesë në grupin e grave të cilat kanë ind të dendur të gjirit (66 për qind e grave në paramenopauzë dhe 25 për qind pas menopauzës), ju duhet të bëni mamogram më shumë se sa një herë në vit.

3.Konsumoni antioksidues- Ushqimet e caktuara të pasura me bioflavonoide është vërtetuar se kanë efekt mbrojtës si nga kanceri i gjirit, ashtu edhe nga llojet e tjera të kancerit.

Rregulli më i lehtë është duke konsumuar fruta dhe perime shumëngjyrëshe. Çaji i gjelbër, për shembull përmban polifenolet EGCG dhe EGC të cilat pastrojnë dhe ju çlirojnë nga radikalet e lira, të cilat mendohet se ndihmojnë ndryshimet e hershme qelizore që çojnë në kancer. Studiuesit ende janë duke analizuar veprimin e lëndëve specifike natyrale, të cilat mund të jenë përgjegjëse për efektet mbrojtëse.

4. Hiqni dorë nga duhani- Çdokush e di se pirja e duhanit nxit kancerin e mushkërive, por shumica nuk e kuptojnë se duhani mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e kancerit të gjirit.

Studimet e reja të publikuara në Journal of the National Cancer Institute kanë dhënë një mesazh edhe më të qartë në këtë aspekt. Kërkuesit kanë analizuar rastet e kancerit të gjirit gjatë një periudhe 13 vjeçare dhe kanë gjetur se shkalla e diagnozave të reja të kancerit të gjirit ishte 24 për qind më e lartë te gratë duhanpirëse se sa te ato jo duhanpirëse.

Po ashtu, gratë të cilat kanë pirë më herët duhanin, por tani nuk e pinë, kanë 13 për qind gjasa më të larta të prekjes nga kanceri i gjirit, krahasuar me ato që kurrë nuk kanë tymosur.

Share Button