Kanadaja ndihmë humanitare në vlerë prej 3 milionë dollarë për Arakanin

Kanadaja dhuron ndihmë humanitare prej 3 milionë dollarësh për personat e prekur nga kriza njerëzore në rajonin Arakan të Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Marie-Claude Bibeau në një deklaratë me shkrim tha se kanë ndarë burime shtesë prej 3 milionë dollarësh për t’i ndihmuar muslimanët e Arakanit të cilët janë prekur nga kriza dhe janë strehuar në Bangladesh.

Duke shprehur se shteti i saj i është përgjigjur thirrjes për ndihmë të Kombeve të Bashkuara (OKB) për t’i përmbushur nevojat kritike të strehimit dhe të shëndetësisë, Bibeau thotë se një pjesë e madhe e ndihmave do të përdoret për nevojat e grave dhe të fëmijëve të pambrojtur të Arakanit.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të Mianmarit që të marrin masa për mbrojtjen e të gjithë civilëve nga dhuna e vazhdueshme. Kërkojmë që të mos pengohen aktivitetet e OKB-së dhe të organizatave humanitare në Mianmar”, thotë ministrja Bibeau.

Ajo vuri në dukje se për shkak të rritjes së numrit të grave dhe të fëmijëve të strehuar në Bangladesh për shkak të dhunës është vështirësuar gjetja e strehimoreve në Bangladesh.

Më tej njoftohet se ndihma në fjalë do të përdoret për përmbushjen e nevojave strehimore, të mbrojtjes, të shëndetësisë, të ujit të pastër dhe të nevojave tjera themelore të atyre që janë detyruar të ikin nga Mianmari.

Këto ndihma do të shpërndahen nga organizatat ndërkombëtare si Mjekët Pa Kufij, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracion.

Kanadaja edhe muajin e kaluar ka dhuruar ndihmë prej 2.5 milionë dollarësh për muslimanët e Arakanit të prekur nga kriza njerëzore në Mianmar dhe që janë strehuar në Bangadesh.

Share Button