Kanada, hapet padi ndaj ndalesës së perçes

Muslimanët kanadezë kanë hapur padi ndaj ndalesës për mbulimin e fytyrës (perçes) në shtetin e Kuebekut e cila u miratua 20 ditë më parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në padinë e parashtruar në Gjykatën Supreme të Kuebekut, Këshilli Nacional i Muslimanëve të Kanadasë (NCCM) dhe Shoqata Kanadeze e Lirive Civile e kanë cilësuar si “shkelje blatante dhe e padrejtë e lirisë fetare”.

Drejtori Ekzekutiv i NCCM-së, Ihsan Gardee, në një konferencë për media në Montreal tha se ndalesa e cila ka për synim muslimanet që veshin nikab ose burka është në kundërshtim me Kartën e të Drejtave të Njeriut të Kuebekut dhe Kartën e të Drejtave dhe Lirive të Kanadasë.

“Ne reagojmë kundër ndalesës pasi që ajo përjashton dhe prek gratë si grup minoritar i pambrojtur dhe i margjinalizuar dhe pasi që është një ligj i panevojshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën”, tha Gardee.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë e Kanadasë, Jody Wilson-Raybould, për AA tha se është në dijeni për padinë e hapur dhe se qeveria e Kanadasë nuk dëshiron t’u diktojë njerëzve se si të vishen.

“Në të njëjtën kohë, si kryeprokurore e Kanadasë, unë jam e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë kanadezëve në korniza të Kartës së të Drejtave dhe Lirive”, tha Wilson-Raybould.

Ndryshe, ligji që ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike u miratua nga parlamenti i Kuebekut më 18 tetor.

Ligji ndalon punonjësit publikë dhe gratë muslimane që dëshirojnë të marrin shërbim publik në institucione zyrtare të mbajnë të veshur mbulesë fytyre, ndërkohë që përmes një ndryshimi në çastin e funDit në ndalesë u futën edhe transporti publik dhe shërbimet komunale.

Share Button