Jordania: Ndalesa e ezanit është në kundërshtim më marrëveshjen e paqes

Jordania e ka cilësuar si “në kundërshtim me marrëveshjen e paqes” pranimin e projektligjit për ndalimin e ezanit në raundin e parë të votimit në Kuvendin e Izraelit (Knesset), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare jordaneze të lajmeve PETRA, ministri i Shtetit Përgjegjës për Media dhe zëdhënësi i qeverisë, Muhammed el-Mumani, përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se projektligji për ndalimin e ezanit, është në kundërshtim me detyrimet e Izraelit për sa i përket ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në kundërshtim me shumë marrëveshje ndërkombëtare.

Mumani ka theksuar se në Jerusalemin Lindor zbatohen ligjet ndërkombëtare nën administrimin e Autoritetit Jordanez të Vakëfeve të Jerusalemit, duke shtuar se autoriteti në fjalë është përgjegjës për rregullimin e ezanit dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me xhamitë në Jerusalemin Lindor, e posaçërisht xhaminë Mesxhidi Aksa.

Ai ka tërhequr vëmendjen se në paragrafin 2 të nenit 7 të marrëveshjes së paqes parashihet që “Izraeli të respektojë rolin e Jordanisë në mbrojtjen e vlerave të shenjta të Islamit në Jerusalem”, për të theksuar më tej se “Miratimi i projektligjit për ndalimin e ezanit është në kundërshtim me marrëveshjen e paqes.”

Ndryshe, dje në seancën e parë të votimit, në Knesset u miratua projektligji që parasheh ndalimin e këndimit të ezanit me altoparlantë në orë të caktuara. Për ligjësimin e projektligji dhe futjen e tij në zbatim nevojitet që i njëjti të pranohet edhe në dy seanca të tjera në Knesset.

Ndërkaq, sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 26 tetor të vitit 1994 në Vadi Araba mes Jordanisë dhe Izraelit, Mesxhidi Aksa dhe vakëfet në Jerusalem u vendosën nën mbikëqyrje të Autoritet të Vakëfeve në Jerusalem që funksionon në kuadër të Ministrisë jordaneze të Vakëfeve, Vendeve të Shenjta dhe Çështjeve Islame.

Në mars të vitit 2013, mbreti i Jordanisë Abdullah dhe presidenti palestinez Mahmud Abbas nënshkruan marrëveshjen që Jordania ia jepte të drejtën “të mbrojë Jerusalemin dhe vlerat e shenjta”.

Share Button