Jordani: Ihsan Barakat, femra e parë gjykatëse në gjykatën e lartë

Gjykatësja jordaneze Ihsan Barakat ka thyer barrierën duke u bërë gjykatësja e parë femër në Gjykatën e Lartë të mbretërisë.

Në promovimet më të fundit të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Amanit (kryeqyteti i Jordanisë) është ngritur në detyrë pranë Gjykatës së Lartë, duke u bërë kështu gruaja e parë jordaneze që ka arritur pozicionin më të lartë në gjyqësor.

Sipas gazetës Jordan Times, Barakat tashmë ka hedhur hapa të mëdha si një grua në fushën e drejtësisë, pasi ajo ishte gruaja e parë në mbretëri që punoi si Prokurore e Përgjithshme e Amanit, e para në kryesimin e Gjykatës Perëndimore të Amanit dhe e para që u emërua si inspektore në Direktoratin e Inspektimeve Gjyqësore.
Kjo nuk është e gjitha. Më parë, ajo ka punuar si inspektore juridike dhe si gjyqtare apeli në Gjykatën e Apelit të Amanit. Po ashtu, ajo ka patur rolin e presidentes në Rrjetin Ligjor për Gratë Arabe, një organizatë rajonale jo qeveritare dhe jo fitimprurëse që mbështet gratë arabe të cilat punojnë në fushën ligjore.
E lindur në vitin 1964, Barakat studioi drejtësi në Universitetin e Jordanisë dhe punoi si juriste për 15 vjet para se t’i bashkohej drejtësisë.

“Nuk ka qenë e lehtë për t’i arritur këto pozicione, veçanërisht duke marrë parasysh që jam e martuar dhe kam përgjegjësi ndaj familjes sime”,- është shprehur më parë në një intervistë me një organizatë feministe jordaneze.
“Kishte raste që unë flija vetëm për pak orë për t’u siguruar që unë i përmbush detyrat e mia në mënyrën më të përsosur”.

Marrë nga: Step Feed
Përktheu: Suela Bunguri

Share Button