Jepen çmimet “Zëri më i bukur i Xhuzit Amme”

Finaliste nga e gjithë Shqipëria kanë marrë pjesën në finalen e madhe të Konkursit Kombëtar të Kuranit “Zëri më i bukur i Xhuzit Amme”.

Pas dy muajve intensiv me audicione në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të përzgjedhur zërin më të bukur në këndimin e Kuranit Famëlartë ditën e shtunë u zhvillua ceremonia përmbyllëse festive e akordimit të çmimeve dhe çertifikatave për pjesëmarrëset që u bënë pjesë e edicionit të parë të Konkursit Kombëtar të Kuranit përgjatë muajve maj – qershor 2014.

Ky event është i pari në llojin e vet dhe i këtyre përmasave në Shqipëri, realizuar nën kujdesin e Shoqatës Kulturore “Gruaja”.

Pjesëmarrëset e këtij konkursi ishin kryesisht vajza të reja nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, që konkuruan me zërin e tyre të bukur por edhe me leximin e rrjedhshëm dhe të saktë të Sureve të Kuranit (Xhuzi Amme).

Në fazën e parë u organizuan mini-konkurse në 5 qytetet kryesore të vendit (Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Shodër) ku pjesëmarrja ishte shumë e madhe dhe juria nuk e pati të lehtë për të zgjedh fitueset e para të cilat do konkuronin më pas në takimin final të Tiranës.

Pas përzgjedhjes së kandidaturave nga e gjithë Shqipëria, fitueset e fazës së parë kanë marrë pjesë në konkursin përfundimtar që është organizuar më dt. 13 qershor në ambientet e Hotel “Livia” në Tiranë ku morëm pjesë 16 finaliste që përfaqësonin 16 qytete të Shqipërisë.

Ndërkaq juria përbëhej nga emra të njohur në mësimin e Kuranit përmendësh si znj. Rajhana Bardhoshi, drejtoreshë e qendrës “Aisha”, me pozicionin e kryetares së jurisë; znj. Aliah Uahud, mësuese Kurani dhe znj. Aida Shega, teologe dhe njëkohësisht mësuese në Medresenë e Durrësit.

Pas përzgjedhjes së kandidaturave, ditën e shtune në Teatrin e Metropolit në Tiranë, u zhvillua ceremonia përmbyllëse festive e akordimit të këtyre çmimeve, në një event festiv ku merrnin pjesë përfaqësuese të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në vend, intelektuale, pedagoge e studente, nxënëse të qendrës së mësimit të Kuranit përmendësh “Aisha”, besimtare nga e gjithë Shqipëria, miq e dashamirës të SHKG-së.

Nën moderimin e znj. Diana Syla, ky aktivitet çeli siparin me një pjesë kuranore të kënduar nga Hatixhe Balliu dhe përkthyer nga Rejhana Ukperaj.

Takimin e shpalli të hapur znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e SHKG-së e cila pasi falënderoi të pranishmet për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet ndër të tjera tha:

“E motivuar nga porosia profetike “Zbukurojeni Kuranin më zërat tuaj” dhe e nxitur nga qëllimi i lartë i ringjalljes së traditave të bukura fetare e kulturore në shoqërinë tonë, Shoqata Kulturore “Gruaja” ndërmori rreth dy muaj më parë nismën për organizimin e konkursit “Zëri më i bukur i Xhuzit Amme”.
Në veprimtarinë e saj 18 vjeçare, SHKG-ja i ka kushtuar një kujdes të veçantë pajisjes së femrës shqiptare me vlerat e larta të edukatës dhe të kulturës islame, nisur nga besimi i saj se “kush edukon një femër, ka edukuar një shoqëri”. Për këtë qëllim, gjatë këtyre viteve janë organizuar me qindra kurse, ëorkshope, leksione e takime kultuore e fetare me vajza, gra, studente e nxënëse në të katër anët e vendit.
Nga kontaktet e shpeshta me to, u vu re se tashmë hifzi, apo memorizimi i Kuranit nuk ishte më vetëm pronë e meshkujve, por shumë nga vajzat, motrat dhe nënat tona i kishin hyrë me sukses kësaj rruge, duke plotësuar memorizimin e plotë ose të pjesshëm të Kuranit.

Është kjo një dukuri e re dhe mjaft pozitive për shoqërinë tonë, sepse një nënë që ka përvetësuar në mendjen dhe në zemrën e saj Librin e Hyjnor, nuk mund t’i sjellë shoqërisë përveçse mirësi”-u shpreh zonja Zekaj.

Më pas përshëndetën takimin përfaqësuese të dy institucioneve, përkatësisht znj. Amantia Bali nga International Europian Academy (IEA) dhe znj. Neida Reçi nga Qendra “Aisha”.

Ceremonia vijoi me programin e larmishëm të përgatitur me kujdes nga organizatorët, ku u prezantuan materiale filmike me pjesët më të mira nga audicionet e konkurenteve në disa qytete të Shqipërisë.

Nga auditori me duartrokitje u pritën interpretimi i ilahive të ndryshme si “Eselamu alejke” nga Selma Bekteshi, “Kurani në zemrat tona” dhe “Këndo moj motër Kuran” nga Bedrana Dunga, ilahi të shoqëruara nën zërin melodioz të korit të nxënëseve të shkollës 12 vjeçare “Qëllimi i jetës” dhe njëkohësisht aktiviste të organizatës “Jehona e rinisë islame”.

Programit i dha vlera artistike interpretimi i një poezie të autorit Fatmir Muja nga poetja Lisiana Demiraj, e cila është e pranishme me interpretimet e saj në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Më tej të gjithë finalistet lexuan njëra pas tjetrës vargje nga Kurani Famëlartë ku prekën zemrat e të gjithë të pranishmeve më zërat e tyre të bukur.

Ndërkohë gjatë ceremonisë u shfaq edhe një material filmik që prezantoi të gjitha finalistet garuese për publikun në sallë.

Pjesa më kulmore e aktivitetit ishte akordimi i çmimeve, i cili u bë bashkë me shpërndarjen e çertifikatave dhe dhuratave, ku performuan në skenë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të shumtë të këtij konkursi.

Fillimisht u akorduan tre çmime inkurajuese nga znj. Aida Shega, znj. Arjeta Pelinku dhe znj. Aurora Hoxha.

Këto çmime u fituan nga Sara Bahja (përfaqësuese e Elbasanit), Jonida Shtegu (përfaqësuese e Shkodrës) dhe Belkisa Balliu (përfaqësuese e Tiranës).

Çmimi i dytë u akordua nga znj. Elsa Çela për fituesen Asime Balliut (përfaqësuese e Burrelit).

Çmimi i tretë u akordua nga nga znj. Neida Reçi për fituesen Erisiola Mali (përfaqësuese e Durrësit).

Ndërkaq çmimin e madh e akordoi drejtoresha e SHKG-së, znj. Ndriçime Zekaj e cila edhe shpalli fituesen e “Zërit më të bukur të Xhuzit Amme për vitin 2014”, znj. Fatime Bardhoshi (përfaqësuese e Librazhdit), të cilës përveç çmimit dhe dhuratave të akorduara nga SHKG, Butik “Belisa” me pronare znj. Besjana Dani kishte përgatitur një dhuratë surprizë për të.

Në përmbyllje të ceremonisë u shpërndanë edhe shumë dhurata për pjesëmarrëset dhe të ftuarat e shumta të cilat nderuan këtë aktivitet me prezencën e tyre.

Konkursi do vazhdojë edhe vitin tjetër me edicionin e dytë, i cili do të zhvillohet për dy xhuze: Xhuzin Amme dhe Xhuzin Tebareke.

 

Share Button