Jeni të fryrë pas festave? Ja çfarë këshillojnë dietologët

Pas festave të fundvitit, ajo që i shqetëson shumë njerëz janë kilet e marra, por edhe rikuperimi i ushqyerjes së shëndetshme.

Ushqimet e rënda të festave nuk përkthehen vetëm në peshë, por edhe në ndjesinë e rëndesës, barkut të fryrë, stomakut të irrituar, rritjes së kolesterolit dhe lodhjes së mëlçisë.

Nutricionistët këshillojnë një dietë, e cila ben të mundur edhe pastrimin e trupit nga toksinat e akumuluara.

Ata thonë se çajrat nuk kanë efekt nëse nuk shoqërohen me një dietë me bazë frutash, perimesh dhe ushqimesh të thjeshta, të gjitha këto të shoqëruara me aktivitet fizik.

Nuk mjafton një ditë apo dy për t’u rikthyer në formë, pasi konsumimi i ushqimeve të rënda shkakton rritje të kolesterolit dhe triglicerideve dhe në mënyrë të veçantë ia bën më të vështirë punën mëlçisë.

Konsumi i alkoolit e bën më të vështirë tretjen e ushqimeve, pasi irriton mukozën e stomakut. Për rikthimin në formën e mëparshme duhet një periudhë dezintoksikimi, me shumë ujë dhe ushqime të thjeshta me bazë vajin e ullirit të pagatuar.

Thelbësore është ulja në maksimum e yndyrave, sheqerit dhe pijeve alkoolike, por edhe konsumimi i drithërave integrale dhe proteinave vegjetale, të cilat gjenden te zarzavatet, që duhet të zëvendësojnë mishin dhe djathin.

Perimet duhet të jenë të freskëta, të ziera apo të gatuara me avull, duke shmangur përdorimin e vajit.

 

Share Button