Jemen, viti i ri shkollor pa libra dhe pa mësimdhënës

Në Jemen ku akoma po vazhdojnë përleshjet e armatosura, nxënësit vitin e ri shkollor do ta fillojnë pa “libra” dhe pa “mësimdhënës”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Shkollat që janë në rajonet nën kontrollin e qeverisë legjitime në Jemen u hapën më 17 shtator, kurse në qytetet nën kontrollin e Lëvizjes Husi do ta fillojnë vitin e ri shkollor më 30 shtator.

Mirëpo, viti i ri edukativo-arsimor po fillon nën hijen e problemeve të mëdha. Miliona fëmijë në vend ballafaqohen me rrezikun e mos marrjes së edukimit as në nivelin më të ulët.

– Problemi i pagave të mësimdhënësve

Në fillim të vitit shkollor, problemi më serioz në shumë qytete është mungesa e mësimdhënësve. Pjesa më e madhe e mësimdhënësve të cilët nuk kanë marrë paga afro një vit nuk shkojnë në shkollë.

Kryetari i Qendrës së Hulumtimeve dhe të Medias së Arsimit në Taiz, Ahmed el-Buhajri thotë se “Në ditët e sotme ka probleme të shumta me të cilat po përballet procesi edukativo-arsimor. Në krye të tyre është mosdhënia e pagave të mësimdhënësve”.

Duke traguar nivelin e problemit, Buhajri thotë se “Mosdhënia e pagave të 70 për qind të mësimdhënësve përgjatë një viti rrezikon procesin mësimor në 13 qytete. Mosdhënia e pagave bën që 4.5 milionë nxënës të ballafaqohen me rrezikun e mungesës së arsimit. Këmbëngulja e palëve të luftës për mosdhënien e pagave të mësimdhënësve, mund të shkaktojë fatkeqësi edukative e cila mund të rrezikojë gjithë botën, duke filluar nga Jemeni dhe rajoni”.

– Shkollat u hapën por nuk ka libra

Ndërkaq në qytetet të cilat janë nën kontrollin e qeverisë dhe ku vazhdon pagimi i pjesërishëm i pagave, ndodh një tjetër problem i madh, ai i furnizimit të librave, sepse kryeqyteti Sana, ku shtypen librat shkollorë për të gjitha qytetet që nga muaji shtator i vitit 2014 është nën kontrollin e Lëvizjes Husi.

Sidomos librat të cilat përdoren deri në klasën e gjashtë nuk shtypen në asnjë vend përveç Sanës. Ndërkaq në shtypshkronjat të cilat gjenden në qytetet Aden dhe El-Mukella bëhet shtypja e librave për shkollat e mesme të larta.

Për shkak të ndryshimit të kurrikulës së librave shkollore nga Lëvizja Husi, shkollat nën kontrollin e qeverisë nuk i pranojnë këto libra.

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Edukimit dhe Arsimit në Marib thotë se “Edhe këtë vit shkollor po përballemi me ndalesa të shumta. Një nga më të rëndësishmet është mungesa me furnizimin e librave shkollorë”.

Duke vënë në dukje se në shkollat e qytetit Marib kanë arritur një numër i kufizuar i librave të shtypura në Mukella, Abbab thotë se “Numri i nxënësve refugjatë, në krahasim me atë të viteve të kaluara është rritur për 117 për qind. Kjo shkakton presion në shkollat e qytetit, si dhe mangësi në stafin arsimor, kapacitetet e objekteve si dhe mjetet shkollore”.

– Sindikata e Arsimit paralajmëron grevë

Sindikata e Edukimit dhe Arsimit ka paralajmëruar se në rast të mosdhënies së pagave të mësimdhënësve do të hyjnë në grevë gjatë gjithë vitit shkollor.

Në deklaratë thuhet se Sindikata ka 250 mijë anëtarë të cilët veprojnë në fushën e arsimit dhe edukimit në Jemen.

Sindikata njofton se anëtarët e saj janë në gjendje të rëndë dhe se nuk arrijnë t’i paguajnë borxhet e tyre. Sindikata bën të ditur se disa prej tyre kanë shitur mobiljet në shtëpi ndërsa disa kanë mbetur pa shtëpi për shkak të mospagimit të qirasë.

Së fundmi thuhet se në qoftë se vazhdohet me mosdhënien e pagave është e pamundur të vazhdojë puna në kushte të tilla.

Share Button