Ja se çfarë parandalon çokollata e zezë

Një nga format më të rrezikshme të kancerit është ai i pankreasit.

Një studim i kryer nga Universiteti i Indianës, i publikuar në “British Journal of Cancer”, ka arritur në përfundimin se çokollata mund ta parandalojë kancerin e pankreasit.

Kjo falë magnezit, i cili është i pakët në sasi në ushqime të tjera, por është i bollshëm në çokollatën e zezë.

“Tumori në pankreas është unik dhe shumë i ndryshëm nga llojet e tjera të kësaj sëmundjeje. Zakonisht të prekurit nga kjo formë e tumorit, nuk jetojnë më shumë se pesë vjet pas diagnostikimit”, thonë mjekët.

Studime të mëparshme kanë treguar se marrja e sasive të caktuara të magnezit ndikon në rrezikun e diabetit, një patologji me lidhje të drejtpërdrejtë me kancerin në pankreas.

Por pavarësisht kësaj, roli i magnezit në parandalimin e kancerit të pankreasit nuk është studiuar thellë.

Studimi i fundit ka analizuar 66 mijë meshkuj dhe femra të moshës 50-76 vjeç, duke marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë lidhjen direkte të magnezit me kancerin e pankreasit.

Nga analiza ka dalë se çdo zvogëlim me 100 mg në sasinë ditore të magnezit lidhet me 24 për qind më shumë rrezik për t’u prekur nga kanceri i pankreasit.

Ekspertët thonë se personat e rrezikuar duhet të përdorin suplemente farmaceutike të magnezit. Për personat e tjerë, të cilët duan ta parandalojnë këtë sëmundje, rekomandohet marrja e magnezit nëpërmjet dietës ushqimore.

Kjo mund të bëhet duke konsumuar çokollatë të zezë, perime me gjethe jeshile dhe fruta të thata.

 

Share Button