Ja pse mund t’i përdorim bishtat e qershive

Bishtat e qershive janë të rëndomtë në dukje. Ato janë të parat që hidhen në kosh kur i dorëzohemi kënaqësisë që na japin qershitë. Por këto bishta të hollë janë të mbushur me vitaminë A, B1 dhe C.

Bishtat, gjethet dhe lëvorja e pemës së qershisë janë të gjitha të dobishme për shëndetin e njeriut. Me bishtat e qershive mund të përgatisni çaj të shijshëm dhe plot vlera. AgroWeb.org do t’ju tregojë më tepër mbi përgatitjen e këtij çaji dhe vlerat e tij. Informacionet e deritanishme na tregojnë se çaji i bishtave të qershive ndihmon organizmin të shkrijë yndyrnat e tepërta, por do të nxitoheshim nëse do të thoshim se çaji në fjalë ndihmon në rënien në peshë.

Kjo për faktin se nuk ka të dhëna shkencore të mjaftueshme të mbështesin këtë pretendim. Sidoqoftë, ajo që shkencëtarët pranojnë pa asnjë mëdyshje është se bishtat e qershive kanë efekt diuretik dhe si rrjedhojë ofrojnë avantazhe në rënien në peshë duke larguar lëngjet e tepërta nga organizmi dhe parandalojnë formimin e gurëve në veshka. Një tjetër karakteristikë e bishtave të qershive është parandalimi i rëndesës kardiovaskulare falë uljes së tensionit të gjakut.

Bishtat e qershive kanë një efekt detoksifikues sepse ndihmojnë në largimin e shpejtë të toksinave nga trupi. Nëse dëshironi të shfrytëzoni këto avantazhe të çajit të bishtave të qershive, atëherë pini një gotë para se të hani mëngjes dhe një tjetër në mbrëmje.

Duke qenë se konsumi i tepërt i këtij çaji mund të shkaktojë dehidratim, AgroWeb.org ju këshillon ta merrni shtruar. Nëse vuani nga tensioni i ulët i gjakut dhe diareja, atëherë hiqni dorë plotësisht nga çdo plan për pirjen e këtij çaji.

Vlerat e çajit të bishtave të qershive • Ka efekt qetësues • Shuan etjen • I bën mirë veshkave.

• Luan rol diuretik • Pastron gjakun • Vonon formimin e gurëve në veshka. • Ul kolesterolin • Largon lëngjet e tepërta nga trupi • I bën mirë mëlçisë. • Ndihmon në rënien në peshë      • Bën mirë kundër infeksioneve në traktin urinar.

Si t’i shfrytëzoni bishtat e qershive

Përgatitini si çaj: Thajini bishtat duke i shtruar në një letër të pastër dhe duke i lënë në ambient të hapur për disa ditë deri sa të thahen plotësisht. Përdorni qese letre ose cope për t’i ruajtur për pak kohë.

Për një filxhan çaj do t’ju nevojiten 2 lugë çaji me bishta të cilët duhen zier në ujë për 10 minuta. Bëni banjë: 4 grushta plot me bishta qershish ziejini në 3 litra ujë për 10 minuta. Shtoni 2-3 shkopinj kanelle dhe 20 gjethe blini.

Lërini të qëndrojnë së bashku për një orë dhe më pas hidheni ujin në vaskë. Ky lëng do t’ju gjallërojë dhe do ta ndihmojë lëkurën. Të njëjtin lëng mund ta hidhni në një legen ku mund të fusni këmbët për 20 minuta. Thembrat do të zbuten dhe ju do të ndiheni më mirë.

 

Share Button