Izraeli vijon bombardimet në Gaza

Gaza ka përjetuar një nga netët me bombardimet më të rënda nga ajri, deti dhe toka, pasi kryeministri izraelit paralajmëroi një konflikt të gjatë përpara. Izraeli kreu rreth 60 bombardime, duke goditur stacionet televizive dhe ato radiofonike, si dhe objekte të tjera të lidhura me lëvizjen  Hamas. Të paktën 60 persona kanë vdekur nga kjo valë bombardimesh, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza. Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi më herët se Izraeli do të vazhdonte ofensivën e tij ushtarake në Gaza, “deri sa të arrijë qëllimin për të shkatërruar rrjetin e tuneleve nëntokësore të Hamasit”. Kjo deklaratë e tij erdhi në një moment të rritjes së dhunës në Gaza, pavarësisht kërkesave të Kombeve të Bashkuara për përfundim të konfliktit.

Zyrtarët thonë se mbi 1.070 palestinezë, shumica prej tyre civilë, janë vrarë në luftimet që nisëm më 8 korrik. Ndërsa pala izraelite thotë se janë vrarë 48 ushtarë dhe tre civilë. Në orët e para të së martës, avionët izraelitë qëlluan në shtëpinë e ish-kryeministrit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ raportoi se në momentin e sulmit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Sipas Hamasit, shënjestër e bombardimeve ka qenë edhe stacioni i vetëm energjitik në Gaza, i cili ka marrë flakë dhe po digjet prej disa orësh, si dhe televizioni Al-Aksa.
Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se Hamasi ka lëshuar 3 raketa në drejtim të Izraelit, njëra prej tyre është eliminuar nga sistemi anti-raketor, ndërsa dy të tjerat kanë rënë në një zonë në qendër të Izraelit, por fatmirësisht pa viktima. Ditën e hënë sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon bëri thirrje për të ndaluar urgjentisht dhunën në Gaza, duke paralajmëruar se territori palestinez është në “gjendje kritike”. “Në emër të humanizmit, dhuna duhet të ndalet”, tha ai në Nju Jork pasi u kthye nga një vizitë në rajonin e Lindjes së Mesme.Por, vetëm pak momente pas fjalimit të Ban Ki Moon, agjencitë e lajmeve raportuan se spitali kryesor i Gazës ishte goditur nga një sulm ajror izraelit. Sipas burimeve, të paktën 10 persona kanë vdekur. Ndërkohë që Izraeli deklaron se edhe Hamas ka bombarduar, duke vrarë 4 banorë.

Share Button