Izraeli shkatërron një tunel nëntokësor në Gaza, 5 të vdekur

Pesë palestinezë kanë humbur jetën pasi Izraeli ka hedhur në erë një tunel pranë kufirit të Rripit të Gazës, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, Eshref el-Kudra, tha në një deklaratë për shtyp se Izraeli ka shënjestruar një tunel në lindje të qytetit Dejr el-Belah në rajonin pranë kufirit të Rripit të Gazës, duke shtuar se “skuadrat e shpëtimit kanë nxjerrë trupat e pajetë të pesë palestinezëve nga rrënojat e tunelit”.

Kudra, i cili njoftoi se të plagosurit janë dërguar në spital, nuk dha ndonjë informacion për numrin e të plagosurve dhe detaje rreth incidentit.

Ndryshe, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, përmes një deklarate me shkrim njoftoi se gjatë ditës një tunel rreth Rripit të Gazës është shkatërruar.

Share Button