Izraeli rrënon tre shtëpi të palestinezëve

Forcat izraelite kanë rrënuar tre shtëpi të palestinezëve në afërsi të qytetit të Betlehemit në jug të Bregut Perëndimor, me arsyetimin se “kanë qenë pa leje”, raporton Anadolu Agency (AA).

Hidir el-Arexh, kreu i fshatit Velxhe, duke folur për AA tha se forcat izraelite kanë ndërmarrë bastisje në fshat, duke rrënuar tre shtëpi, prej të cilave dy kanë qenë në fazën e ndërtimit, me arsyetimin se “kanë qenë pa leje”.

Arexh njoftoi se për shtëpitë në fjalë para një muaji ishte dhënë paralajmërim për rrënim. Siç tregon Arexh, vendimi përfundimtar në lidhje me këto shtëpi është pritur të jepet më 7 maj nga Gjykata izraelite e Apelit. Megjithatë, forcat izraelite kanë rrënuar shtëpitë që më parë, pa e pritur vendimin.

Sipas Qendrës për Hulumtim dhe Dokumentim Abdullah El-Havrani që funksionon nën Organizatën Çlirimtare Palestineze, autoritetet izraelite vitin e kaluar kanë rrënuar 488 shtëpi të palestinezëve dhe 535 objekte të tjera të përdorura për qëllime të ndryshme.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes të Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C. Zona A, e cila përfshin 18 përqind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 përqind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 përqind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.

Qeveria izraelite bën pothuajse të pamundshme që palestinezët të realizojnë ndërtime në zonën C. Në Jerusalemin Lindor të okupuar nga Izraeli, gjenden rreth 200 mijë kolonë hebrenj, kurse në Bregun Perëndimor 400 mijë sosh. Komuniteti ndërkombëtar i pranon si ilegale vendbanimet kolone hebrenje që gjendet në territoret e okupuara nga Izraeli.

Share Button