Izraeli arreston rojet palestineze të Xhamisë Al-Aksa

Forcat e sigurisë izraelite në 24 orët e fundit kanë arrestuar shtatë roje të Xhamisë Al-Aksa, në Jerusalemin e pushtuar Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).

“Katër roje janë marrë nga shtëpitë e tyre herët në mëngjes të martën, ndërsa tre të tjerët janë arrestuar të hënën pasi që penguan arkeologun hebre në përpjekje për të vjedhur gurin e lashtë i cili ndodhet brenda xhamisë”, konfirmoi për AA Firas al-Dibs, zëdhënës i Vakëfit Islamik në Jerusalem, të organizatës jordaneze të ngarkuar për monitorimin e vendeve islamike.

Al-Dibs ka thënë se arkeologu dy herë u përpoq të vjedhë gurin nën mbrojtjen e policisë izraelite, e cila shkaktoi përleshje midis rojeve dhe policisë izraelite.

Për muslimanët, Al-Aksa paraqet vendin e tretë të shenjtë në botë. Hebrenjtë nga ana e tyre këtë zonë e quajnë Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohët e lashta në këtë vend ndodheshin dy tempuj hebraik.

Në shtator të vitit 2000, gjatë një vizite në Al-Aksa të politikanit kontrovers izraelit Ariel Sharon provokoi intifadën e dytë, kryengritjen popullore kundër pushtimit izraelit në të cilën u vranë mijëra palestinezë.

Izraeli ka pushtuar Jerusalemin lindor, në të cilin ndodhet edhe Xhamia Al-Aksa, gjatë luftës në Lindjen e Mesme në vitin 1967. Më pas në vitin 1980 edhe formalisht e aneksoi, duke pretenduar se Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit hebre, ndërsa kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Share Button